FATOS ÇOÇOLI
Pak ditë më parë, marrëveshja për njohjen e pensioneve me Italinë u votua në Senatin italian dhe kaloi hallkën më të rëndësishme, që ishte miratimi politik përmes dy parlamenteve. Tashmë hapat që po ndiqen janë proceduralë, për ta bërë atë të zbatueshme përpara verës 2025. Janë rreth 550 mijë shtetas shqiptarë dhe rreth 20 mijë shtetas italianë, që përfitojnë nga zbatimi i Marrëveshjes. Marrëveshja do të mundësojë që si shqiptarët(janë shumica), edhe disa mijëra italianë në Shqipëri, të realizojnë bashkimin e periudhave kontribuuese për pensionet e tyre, në vartësi të sa vite pune të rregullt kanë bërë në Itali dhe sa në Shqipëri, duke bërë të mundur që asnjë vit pune të mos humbasë. Sot, pa këtë marrëveshje, një qytetar shqiptar që ka kontribuar me më pak se 15 vite pune të rregullt në Shqipëri dhe më pak se 20 vite pune të rregullt në Itali, nuk përfiton asnjë lloj pensioni.
Bashkimi i këtyre periudhave në të dyja vendet, do të mundësojë marrjen e një pensioni për qytetarin. Ky është përfitimi i parë. Ai financiar është po ashtu tek porta. Nëse shteti italian që në gjysmën e dytë të vitit 2025 do të ketë gati fondet për pagesat për 4 mijë pensionet e para të qytetarëve shqiptarë, që kanë aplikuar pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore, këtu ose pranë institutit sivëlla IMS në Itali, si dhe aplikimi i të cilëve u është miratuar pas dokumenteve të paraqitura, atëherë për një mesatare pensioni 600 euro në muaj, i bie 2.4 milionë euro në muaj ose 30 milionë euro në vit. Një shtetas shqiptar që jeton dhe punon në Itali, mund ta bëjë aplikimin për lidhjen e pensionit në shtetin italian. Më pas, shkëmbimi i të dhënave do të bëhet në mënyrë automatike ndërmjet institucioneve zbatuese. Tek ne është Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe në Itali është IMS Italian. Kjo është përcaktuar në marrëveshje, për të ulur koston e aplikimit, pasi nuk do të nevojitet përkthim dhe noterizim dokumentesh. Ato do të njihen në mënyrë automatike nga institucionet përkatëse. Shqiptarët kanë kontribuar në arkën e shtetit italian në tre dekadat 1993-2023 në mënyrë të jashtëzakonshme.
Zyrtarët e shtetit italian janë të ndërgjegjshëm për këtë. Në rast se në këto 30 vite kemi pasur mbi 600 mijë qytetarë tanë në Itali, të paktën 350 mijë prej tyre kanë qenë të punësuar dhe prej këtyre, të paktën 280 mijë kanë punuar me kontrata të rregullta pune. Duke derdhur po rregullisht detyrimet e tyre-kontribute për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore në shtetin fqinj. Në 30 vjet, këto detyrime kanë kaluar nivelin e disa miliarda eurove kontribute. Është qeveria e kryeministres Xhorxhia Meloni, që e jetësoi kthimin e një pjese të këtyre parave në pensione për qytetarët shqiptarë që kanë punuar dhe kontribuar në buxhetin e shtetit italian. Sipas një vlerësimi paraprak, në vijim të nënshkrimit të marrëveshjes për pensionet mes Italisë dhe Shqipërisë që më 6 shkurt 2024, numri i përfituesve shqiptarë në Itali dhe detyrimet e pensioneve që rrjedhin nga mundësia e përmbushjes së kushteve të legjislacionit në fuqi, por edhe nëpërmjet bashkimit të periudhave, do të fillojë me rreth 4 mijë pensione në vit. Ky numër do të jetë në rritje të fortë vit pas viti. Marrëveshja për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë mundëson ofrimin e përfitimeve në sigurimet shoqërore, si dhe trajtimin e barabartë të personave të punësuar dhe për të vetëpunësuarit. Marrëveshja do të zbatohet për legjislacionet që lidhen me sigurimin për pleqërinë, invaliditetin dhe pensionin familjar (pasjetuesit). Ajo përfshin edhe sigurimin për përfitimin për sëmundjet dhe barrëlindjen, si dhe sigurimin e papunësisë. Është marrëveshje e plotë dhe shumë e mirë.
Duhet realisht t’i jemi mirënjohës popullit italian, që na priti zemërhapur në vitin 1992, por edhe qeverisë së sotme të tij, që vuri në vend një mungesë drejtësie me kontributin e shqiptarëve në buxhetin e shtetit italian. Po Greqia? Në Greqi po ashtu kemi me qindra mijëra bashkatdhetarë, që kanë punuar me kontrata të rregullta. Deri tani, me këtë vend fqinj janë bërë dy takime të ekspertëve të ministrive përkatëse të punës, në nivel teknik. Këto takime kanë qenë frytdhënëse dhe është parë se skemat e sigurimeve, si ajo e Greqisë dhe ajo e Shqipërisë janë shumë të ngjashme. Mund të ecet mirë dhe me Greqinë. Pas Italisë, pritet të hyjë në fuqi marrëveshja me Malin e Zi, Kroacinë, Bullgarinë, Poloninë dhe Serbinë. Aktualisht Shqipëria ka marrëveshje për njohjen e pensioneve me 13 vende të ndryshme. Marrëveshja me Greqinë do të ishte një fitore e dytë e madhe për qytetarët tanë punonjës me periudha të gjata në vendet fqinj, por do të duhet të kalojë kohë. Urojmë të mos jenë vite.
