Zona e ish-Bllokut shumë shpejt nuk do të ketë më makina që vijnë vërdallë, apo dalin edhe xhiro. Së shpejti, shumica e rrugëve do të kthehen në këmbësore. Projekti i Walk 21, do të rikonceptojë rrugën “Ismail Qemali”, “Pjetër Bogdani”, si dhe Brigada VIII.
Në prezantimin e projektit, Kryeministri theksoi se ndryshimet pritet të realizohen brenda këtij viti.
““Besoj që kjo është rruga e duhur. Për hir të së vërtetës në rrugën pas shpinës sime të shumë vite më parë, kur isha në bashki, kemi bërë një tentativë për ta këmbësorizuar atë, ndaj edhe është e shtruar me pllaka edhe në trupin e saj. E vërteta është se projekti funksionoi për një kohë jo të gjatë, sepse forca të caktuara me akses në qeverinë e asaj kohe e përmbysën”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se kjo duke marrë parasysh që në të gjitha rastet Tirana edhe pse është një qytet i madh, prapë nuk është një qytet i madh kur vjen puna te distancat që përshkohen të paktën në një perimetër të caktuar që lidhet me qendrën.
Kryeministri theksoi se “kjo do të thotë se mund të jeni shumë më kurajoz në këmbësorizimin e hapësirave”.
“Nga ana tjetër dua t’i shmangeni idesë fikse që për të ulur fluksin e trafikut duhet të zgjerosh rrugët. Kjo është tërësisht e pavërtetë, madje e kundërta është e vërtetë. Këtu nuk kam parasysh arteriet qendrore kryesore që janë arteriet kombëtare që lidhin qytetet me njëra-tjetrën, por kam parasysh rrugët e brendshme të qytetit”, shtoi Rama.
Sipas tij, “mund t’i zgjerosh rrugët në këtë zonë këtu edhe me një korsi tjetër duke prerë pemët, por nuk do të ndryshojë gjë, përkundrazi ka shumë gjasë që fluksi dhe intensiteti i trafikut të rritet”.
“Walk 21”, është organizatë ndërkombëtare e cila mbështet lëvizshmërinë për këmbësorët për të ecur në një mjedis të sigurt.
