Bankat u janë përgjigjur pozitivisht kërkesave në rritje për kredi në tre-mujorin e katërt të vitit 2024, duke rritur shkallën e miratimit të tyre, si për bizneset, ashtu edhe për individët.
Sipas vrojtimit të BSH për aktivitetin kreditues në tre-mujorin e fundit të vitit të kaluar, shkalla e miratimit të kredive për bizneset u raportua më e lartë. Faktorët që ndikuan në rënien e shkallës së refuzimeve për kredi të bizneseve ishin politikat e bankave lidhur me kolateralin, pasqyrat financiare të bizneseve, perceptimi më i ulët i rrezikut nga ana e bankave mbi të ardhmen e sektorit ku operojnë bizneset, si edhe elementet e lidhura me historikun e kreditit të bizneseve.
Gjithashtu, edhe kërkesa për kredi e bizneseve ishte më e lartë, si në terma të madhësisë së biznesit, ashtu edhe në terma të qëllimit të përdorimit të kredisë. Rritja e kërkesës për kredi u mbështet nga nevojat më të larta për financimin e kapitalit qarkullues dhe të investimeve.
Po ashtu, në gjykimin e bankave, situata makroekonomike në vend e perspektiva për të, niveli i përgjithshëm i normave të interesit dhe treguesi i besimit të biznesit mbështetën zgjerimin e kërkesës për kredi. Bankat kanë pritshmëri për kërkesë në rritje për kredi nga bizneset edhe në tremujorin e parë të vitit 2025.
Një situatë e ngjashme u vërejt edhe sa i përket kredive për individët, ku shkalla e miratimit të këtyre kredive rezultoi në rritje. Raporti më i ulët i kredive të refuzuara në këtë tremujor u nxit prej treguesve të lidhur me historikun e kreditit dhe të ardhurat e disponueshme nga ana e individëve.
Kërkesa e individëve për kredi u perceptua më e lartë në tremujorin e katërt, si në blerjen e banesave, ashtu edhe në financimin e konsumit, duke rezultuar edhe shtytësit kryesorë për rritjen e kërkesës për kredi në këtë tre-mujor.
Normat e favorshme të interesit kanë ndikuar në këtë rritje të kërkesës dhe pritshmëritë e bankave janë që kërkesa të vijojë të jetë e lartë edhe për tremujorin e parë të vitit 2025. /ekofin.al
