Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor njofton se gjatë këtyre 9 muajve të vitit 2025, në Shqipëri janë regjistruar 74.073 makina të reja. Sipas të dhënave, është një rritje prej 101% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.
Institucioni thotë se 81.8% e mjeteve të regjistruara gjatë periudhës Janar – Shtator 2025 ose 60.568 makina janë të përdorura, por jo të viteve të fundit. Sipas dispozitave ligjore, në Shqipëri nuk mund të importohen më mjete që janë më të vjetra se 15-20 vjet, në varësi të shtetit.
Ndërkohë, një e dhënë shumë interesante nga këto shifra, është se 14.724 mjete nga totali i importit janë makina të gjeneratës së fundit, 0 deri ne 4 vjeç. Kjo shifër tregon për një rritje prej 8% krahasuar me vitin 2024 dhe orientimin e tregut shqiptar drejt sigurisë, teknologjisë dhe efiçencës.
Siç është bërë e ditur dhe më parë, vendin e parë për importin e mjeteve e mban shteti i Koresë së Jugut. Hapja e tregut dhe çmimet e lira për mjete të vitprodhimeve të reja, kanë bërë që shqiptarët t’i kthejnë sytë nga Seuli, me 20.9%.
Ndërkohë, në vend të dytë janë makinat që vijnë nga Italia me 15.7%, në vend të tretë Gjermania me 15.6%, më pas Zvicra me 8.5%, Kina me 8.5% dhe Amerika me 8.1%.
Paralelisht me mjetet e reja që vijnë në Shqipëri, i konsiderueshëm ka qenë dhe numri i atyre që janë çregjistruara përgjithmonë. Në periudhën Janar-Shtator 2025, janë çregjistruar përgjithmonë 6.128 makina, ose 18.4% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
“Ky proces ndihmon në përmirësimin e sigurisë rrugore dhe uljen e ndotjes mjedis. Një flotë që pasqyron zhvillimin e vendit, më moderne, më e sigurt dhe më miqësore me mjedisin, drejt së ardhmes së automotorizimit shqiptar”, thotë DSHPTRR.
