6 kontrata të reja koncesionare/PPP pritet të nisin vitin e ardhshëm, me një vlerë të përgjithshme prej 109 miliardë lekë ose 1.1 miliardë euro.
Në listën e projekteve me Partneritet Publik-Privat (PPP), që nisin në vitin 2025, mbizotërojnë investimeve infrastrukturore. Bashkia e Tiranës, do të shtojë edhe dy projekte PPP, konkretisht ato për “Përmirësimin e Infrastrukturës Arsimore në Bashkinë e Tiranës për katër objekte arsimore në Zonën Tirana 3” me vlerë totale kontrate 2,5 miliardë lekë dhe për “Përmirësimin e Infrastrukturës Arsimore në Bashkinë e Tiranës për katër objekte arsimore në Zonën Tirana 2”, me vlerë po 2,5 miliardë lekë.
Më herë, Bashkia Tiranë ka implementuar projekte të ngjashme, për zonën 1 dhe 4 të kryeqytetit, kryesisht për ndërtimin e shkollave të reja, apo përmirësimin e infratrukturës ekzistuese.

Ndërkohë, një projekt i rëndësishëm infrastrukturor, i cili në vlerë kontratë është më i madhi, prej 56.7 miliardë lekë është koncesioni për “Për projektimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Kashar – Lekaj”, i cili do të marrë financim edhe nga buxheti i shtetit vitin e kaluar, por pritet të jetë një rrugë me pagesë, kur të përfundojë.
Gjithashtu, për vijimin e kësaj rruge, nga Lekaj në Fier, vlera e parashikuar për kontratën PPP vlerësohet në 38 miliardë lekë. Edhe kjo rrugë do të jetë me pagesë kur të përfundojë ndërtimin, ndërsa për vitin e ardhshëm parashikohet të ketë financim buxhetor.
Një tjetër PPP që është parashikuar rishtazi për vitin 2025 është ajo “Për projektimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Thumanë”, me vlerë kontrate 5,3 miliardë lekë. Gjithashtu, edhe PPP-ja për “Projektim, ndërtim, operim, mirëmbajtje dhe transferimin e Aeroportit të Sarandës” vlerësohet të ketë një vlerë kontrate prej 4.2 miliardë lekë, por aeroporti i ri, me ndërtimin e Aeroportit të Vlorës, pritet të zhvendoset në Gjirokastër dhe jo më në Sarandë, siç ishte plani fillestar. /ekofin.al
