Sondazhi i zhvilluar nga Këshilli Rajonal i Bashkëpunimit mbi perceptimin e sigurisë në 2024 tregon se shumica e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor janë neutralë në lidhje me ndikimin e imigrantëve për ekonomitë e tyre.
Ndër këto, qytetarët shqiptarë shfaqin më shumë mëdyshje, me 28% kanë pikëpamje pozitive për imigrantët, e ndjekur nga 21% e qytetarëve të Kosovës. Pjesa e mbetur e ekonomive në rajon shfaqin ndjenja më pak të favorshme, duke filluar nga 14% në Serbi në një nivel të ulët prej 8% në Mal të Zi.
Anasjelltas, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Malit të Zi, 38%, perceptojnë se imigrantët kanë një ndikim negativ ekonomik, me Maqedoninë e Veriut që ndjek nga afër me 37%, Serbia me 34%, Bosnja dhe Hercegovina me 29%, Shqipëria me 25% dhe Kosova me 23%.
Qytetarët e Kosovës janë pothuajse të ndarë në opinionet e tyre, me 21% që i shohin pozitivisht emigrantët dhe 23% negativisht. Një shpërndarje të ngjashme ka edhe Shqipëria, me 28% pozitive dhe 25% pikëmapje negative. Në të kundërt, ekonomitë e tjera në rajon shfaqin një mbizotërim të perqindjes negative mbi atyre pozitive. Kjo pabarazi mund t’u atribuohet dy faktorëve kryesorë: mungesës së fuqisë punëtore akute dhe plakjes së popullsisë, për shkak të emigrimit dhe rënies së lindjeve në Shqipëri dhe Kosovë.
Ndërsa 31% e shohin imigracionin si zgjidhje për mungesën e fuqisë punëtore, 39% shpreh shqetësimin për zënien e vendeve të punës. Kjo ndarje është më e dukshme në qëndrimet ndaj azilit, me 45% që njohin rolin e tij në sigurimin e strehimit për të persekutuarit, ndërsa 43% e lidhin imigracionin me një rritje të rrezikut për terrorizëm.
Shqipëria paraqet një perspektivë të veçantë, me një shumicë (53%) që e sheh imigracionin si një mjet për të trajtuar mungesën e fuqisë punëtore, një shqetësim urgjent i përforcuar nga emigracioni dhe rënia demografike. Po kështu 57 % mbështesin dhënien e azilit për të persekutuarit.
Qytetarët e Ballkanit Perëndimor e shohin me kujdes migrimin për motive punësimi. Ndërsa një shumicë në të gjithë rajonin (Serbia 60%, Bosnja dhe Hercegovina 58%, Mali i Zi 57%, Shqipëria 57%) shpreh rezerva për liberalizimin e regjimeve të vizave me ekonomitë që përjetojnë migrim të konsiderueshëm, ka një konsensus të qartë mbi nevojën për të menaxhuar lëvizshmërinë e fuqisë punëtore. Kjo dëshmohet nga mbështetja e fortë për mirëpritjen e migrantëve për të adresuar mungesën e fuqisë punëtore, me Shqipërinë (66%), Bosnje dhe Hercegovinën (65%) që kryesojnë, e ndjekur nga afër nga Kosova (64%), Mali i Zi (62%), Serbia ( 60%) dhe Maqedonia e Veriut (52%) në fund. /ekofin.al

