Këshilli Bashkiak i Tiranës ka marrë vendim për dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare për familjet dhe individët e prekur nga zjarri i datës 14 prill 2026, që përfshiu një pallat në rrugën e Dibrës, pranë QSUT.
Sipas projektvendimit të miratuar, familjet përfituese do të marrin një ndihmë financiare mujore në vlerën 40 mijë lekë, e cila do të jepet deri në sistemimin përfundimtar në banesat e rikonstruktuara.
Njësitë administrative do të kenë detyrën të verifikojnë dokumentacionin dhe të hartojnë listën e përfituesve, e cila më pas do t’i përcillet strukturave përkatëse për miratim dhe ekzekutim të pagesave.
Efektet financiare të këtij vendimi do të përballohen nga buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2026, në kuadër të programit për mbrojtjen nga zjarri dhe mbrojtjen civile.
Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes Civile dhe Shërbimeve ndaj Qytetarit do të raportojë çdo tre muaj pranë Këshillit Bashkiak për listën e përfituesve dhe ecurinë e zbatimit të këtij vendimi. /balkanweb.com

