Ndërmarrjet shqiptare po shfaqin një klimë më optimiste për zgjerimin e aktivitetit dhe investimet, por njëkohësisht po përballen me nevoja më të mëdha për financim, sidomos për të mbuluar shpenzimet operative. Kjo është një nga gjetjet i e vrojtimit të Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e dytë të vitit 2025, i cili paraqet një panoramë me sinjale pozitive për zhvillimin e biznesit, por edhe me sfida që lidhen me kostot dhe huamarrjen.
Sipas raportit, pritshmëritë e biznesit për investime dhe zgjerim të aktivitetit janë përmirësuar ndjeshëm krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar.
Megjithatë, zgjerimi i aktivitetit po shoqërohet me një kërkesë më të lartë për financim. Rreth 36% e ndërmarrjeve deklarojnë se kanë aktualisht një hua për të shlyer, një përqindje më e lartë se gjashtë muaj më parë. Pesha më e madhe e bizneseve huamarrëse regjistrohet te ndërmarrjet e mëdha dhe të mesme, ndërsa sektori i ndërtimit mbetet ai me nivelin më të lartë të huamarrjes.
Burimi kryesor i financimit vazhdon të jetë sistemi bankar. Rreth 92% e ndërmarrjeve huamarrëse deklarojnë se janë financuar përmes institucioneve financiare formale, kryesisht bankave tregtare, ndërsa përdorimi i burimeve joformale mbetet i kufizuar.
Raporti evidenton edhe një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si përdoren kreditë. Edhe pse gjysma e bizneseve vijojnë t’i drejtojnë huatë për investime afatgjata, është rritur ndjeshëm numri i ndërmarrjeve që marrin financim për të përballuar shpenzimet e përditshme të aktivitetit. Rreth 44% e bizneseve deklarojnë se huaja përdoret për mbulimin e kostove operative, një tregues që sinjalizon presion në rritje mbi likuiditetin e tyre.
Pavarësisht kësaj, shumica e ndërmarrjeve e konsiderojnë nivelin aktual të huamarrjes të mjaftueshëm për financimin e aktivitetit. Rreth 84% shprehen se kreditë që kanë marrë janë të përshtatshme për nevojat e biznesit, ndërsa ndërmarrjet e vogla dhe të mesme sinjalizojnë se mund të kenë nevojë për financim shtesë në të ardhmen.
Një tjetër tregues pozitiv është orientimi drejt huamarrjes në monedhën vendase. Më shumë se gjysma e bizneseve kanë kredi në lekë, ndërsa pesha e huave në euro ka vijuar të bjerë, duke ulur ekspozimin ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit.
Nga ana tjetër, barra e borxhit mbetet një sfidë për një pjesë të ndërmarrjeve. Rreth një e treta e bizneseve raportojnë se pagesat e huasë përbëjnë më shumë se 20% të të ardhurave të tyre, me ndërmarrjet e mesme që ndihen më të ekspozuara ndaj këtij presioni financiar. Për të përballuar kostot e kredisë, shumë kompani kanë zgjedhur të ulin shpenzimet e tjera, ndërsa një pjesë kanë rritur çmimet e produkteve ose kanë përdorur rezervat financiare. /ekofin.al

