Shqetësimi i shqiptarëve për rreziqet që lidhen me internetin ka rënë ndjeshëm brenda një viti.
Sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit 2025 – Opinioni i Publikut, të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, vetëm 39% e shqiptarëve përmendin krimin në internet, si vjedhja e të dhënave personale apo të kartave të kreditit, ndër shqetësimet kryesore, nga 61% në 2024. Rënia prej 22 pikësh përqindjeje është shumë më e fortë se ajo e regjistruar në nivel rajonal, ku treguesi ka zbritur nga 46% në 40%.
Edhe shqetësimi për sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve në internet ka rënë në Shqipëri, nga 59% në 2024 në 50% në 2025. Megjithatë, ky mbetet rreziku më i përmendur nga shqiptarët dhe niveli është mbi mesataren rajonale prej 43%. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë nivelin më të lartë në rajon për këtë shqetësim, me nga 50%.
Shqetësimi për sigurinë e pagesave online ka zbritur gjithashtu, nga 26% në 21% në Shqipëri, ndërsa në rajon ka rënë nga 30% në 26%. Frika se inteligjenca artificiale mund të sjellë humbje të vendit të punës është përmendur nga vetëm 6% e shqiptarëve në 2025, nga 11% një vit më parë dhe nën mesataren rajonale prej 8%.

Ndryshime të forta paraqet edhe rritja e pjesës së qytetarëve që thonë se nuk shqetësohen nga asnjë prej rreziqeve të lidhura me përdorimin në rritje të internetit dhe mjeteve digjitale. Në Shqipëri kjo përqindje ka kaluar nga 11% në 2024 në 30% në 2025, niveli më i lartë në Ballkanin Perëndimor. Mesatarja rajonale është rritur nga 15% në 22%.
Këto rezultate vijnë në një periudhë kur përdorimi i shërbimeve digjiitale po zgjerohet në të gjithë rajonin. Në 2025, 40% e shqiptarëve raportojnë se kanë bërë blerje online, 29% kanë përdorur shërbime të qeverisjes elektronike, 27% mjete të inteligjencës artificiale dhe 26% shërbime bankare online. /ekofin.al
