Çmimet globale të ushqimeve shënuan një rritje të ndjeshme në shtator, duke arritur ritmin më të shpejtë që nga marsi i vitit 2022, sipas njoftimeve nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë.
Indeksi i çmimeve të ushqimeve për muajin shtator u regjistrua në 124.4 pikë, që përfaqëson një rritje prej 3% krahasuar me gushtin. Megjithatë, ky indeks mbetet 22.4% më i ulët se kulmi i arritur në mars 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës.
Kjo rritje është rezultat i rritjes në të gjitha kategoritë, përfshirë çmimet e sheqerit, vajrave bimore, drithërave, produkteve të qumështit dhe mishit. Çmimi i sheqerit u rrit me 10.4%, duke arritur në 125.7 pikë, kryesisht për shkak të motit të thatë dhe zjarreve në Brazil që dëmtoi të korrat e kallam sheqerit.
Indeksi i çmimeve të vajrave bimorë u rrit me 4.6% në muaj, duke arritur në 142.4 pikë, më i larti që nga fillimi i vitit 2023. Çmimet ndërkombëtare të vajit të palmës, vajit të lulediellit dhe vajit të sojës vazhduan të rriten për të katërtin muaj radhazi.
Ndërsa indeksi i çmimeve të drithërave arriti në 113.5 pikë, me një rritje prej 3% nga gushti, kryesisht për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike në vendet eksportuese. Indeksi i çmimeve të produkteve të bulmetit u rrit me 3.8%, duke arritur në 136.3 pikë, dhe indeksi i çmimit të mishit u rrit me 0.4%, duke arritur në 119.6 pikë.
