Hapet procedura e prokurimit nga “Ujësjellës – Kanalizime Gjirokastër” sh.a. për ndërtimin e ujësjellësve të fshatrave Fushëbardhë dhe Zhulat, në Gjirokastër. Fondi limit për këtë kontratë është rreth 250 milionë lekë dhe afati i punimeve parashikohet të jetë 12 muaj.
Sipas relacionit shoqërues, Fshatrat Fushëbardhë dhe Zhulat, pjesë e Bashkisë Libohovë, Gjirokastër shtrihen në territorin më jugor të Bashkisë dhe kanë rreth 1600 banorë. Aktualisht këto fshatra furnizohen me ujë nga burimi në qendër të fshtatit, ku me tubacione lidhen me depot e grumbullimit në lagjet e sipërme të fshatit dhe në lagjet e poshtme. Sasia e ujit nuk është e mjaftueshme dhe nuk plotëson kërkesat e banorëve.
Objekti i përgjithshëm i projektit është analizimi i situatës së rrjetit të furnizimit me ujë, nga ku si rezultat është parë e nevojshme ndërtimi i një rrjeti të ri, sepse rrjeti aktual është i amortizuar, duke sjellë humbje të mëdha të ujit dhe furnizim jonormal të banorëve, rikonstruksioni i depos së ujit, ndërtimi i depove të reja dhe linjave të dërgimit deri në depo, ndërtimi i linjës kryesore nga stacioni i pompimit deri në banesa.
Linjat e ujit janë ndërtuar rreth viteve 1990 dhe janë riparuar disa herë për shkak se kalojnë në parcela bujqësore dhe kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme, për këtë arsye nevojitet zëvendësimi i tyre, thuhet në dokument. /ekofin.al