Nga EKOFIN.al
Viti 2025 po mbyllet si një nga vitet më intensive dhe të mbushur me zhvillime për ekonominë shqiptare dhe për bizneset në përgjithësi. Ishte një vit që testoi qëndrueshmërinë e tregjeve, të politikave publike dhe të vetë shoqërisë sonë përballë ndryshimeve të shpejta, pritshmërive të larta dhe një konteksti ndërkombëtar ende të paqëndrueshëm.
Nga njëra anë, ekonomia shqiptare arriti të ruajë ritme të qëndrueshme rritjeje, të mbështetura kryesisht nga konsumi, turizmi, ndërtimi dhe shërbimet. Nga ana tjetër, viti 2025 nxori në pah edhe kufizimet strukturore që vazhdojnë të frenojnë zhvillimin afatgjatë: produktivitet të ulët, varësi nga sektorë ciklikë, informalitet, korrupsion ende i lartë dhe një presion gjithnjë e më të madh mbi financat publike dhe tregun e punës.
Në plan fiskal, u shënua një performancë relativisht e qëndrueshme e të ardhurave, por edhe një debat i fortë mbi mënyrën se si shteti duhet të ndërhyjë në ekonomi: sa për të mbështetur rritjen dhe sa për të garantuar drejtësi dhe konkurrencë të ndershme. Paketa fiskale, amnistia për vitin e ardhshëm dhe iniciativat e ndryshme ligjore e bënë 2025-ën një vit reflektimi për modelin e zhvillimit që Shqipëria po ndjek.
Në sektorin financiar, sistemi bankar mbeti i qëndrueshëm, i mirëkapitalizuar dhe likuid, por me sinjale të qarta se rreziqet po bëhen më komplekse. Kredidhënia u rrit, interesat u stabilizuan dhe digjitalizimi avancoi, ndërsa debati mbi bankat digjitale, fintech dhe mbikëqyrjen prudenciale tregoi se viti 2026 do të kërkojë rregullim më të zgjuar dhe institucione më të shpejta në reagim. Tregjet e tjera jobankare vijuan rritjen, ashtu si edhe avancimet dhe përafrimet legjislative me direktivat e BE-së.
Procesi i integrimit europian mbeti boshti kryesor strategjik. Hapja e kapitujve të rinj dhe afrimi me standardet e BE-së nuk janë më thjesht objektiva politike, por po shndërrohen gjithnjë e më shumë në detyrime konkrete për administratën, biznesin dhe tregjet. Viti 2025 tregoi se përafrimi ligjor pa zbatim real nuk mjafton dhe se cilësia e institucioneve do të jetë faktori përcaktues në fazën që vjen.
Çfarë pritet nga 2026-a? Më pak propangandë dhe më shumë vendimmarrje të bazuar në të dhëna. Një vit që do të kërkojë politika më selektive, investime më cilësore, fokus te produktiviteti, kapitali njerëzor dhe inovacioni. Një vit ku stabiliteti makroekonomik duhet të shoqërohet me reforma reale në tregun e punës, arsim, drejtësi ekonomike dhe klimë biznesi.
Për Ekofin.al, viti 2025 ishte një vit angazhimi të vazhdueshëm për të sjellë më të mirën për lexuesit tanë, informacione lidhur me zhvillimet ekonomike dhe financiare në një gjuhë sa më të kuptueshme, të gjitha nismat e reja që prekin bizneset, por edhe shkrime utilitare që prekin jetën e gjjthsecilit nga ne.
Edhe në 2026, misioni ynë mbetet i njëjtë: të ndihmojmë lexuesit të kuptojnë jo vetëm çfarë po ndodh, por pse po ndodh dhe çfarë do të thotë kjo për ekonominë, biznesin dhe jetën e përditshme.
Në mbyllje të këtij viti, urojmë që 2026-a të jetë një vit më i qartë në vizion, më i ndershëm në politika dhe më i guximshëm në reforma.
Faleminderit lexuesve tanë për besimin, vëmendjen dhe kritikat që na bëjnë më të mirë.
Gëzuar Vitin e Ri dhe një 2026 me më shumë prosperitet, zhvillim dhe besim në të ardhmen!
