Rreth 200 individë që zotërojnë makina të shtrenjta, por rezultojnë pa të ardhura të deklaruara në administratën tatimore, janë vendosur nën lupën e Tatimeve. Kontrollet e kryera deri tani kanë evidentuar shkelje në pothuajse çdo rast të verifikuar, ndërsa vlera e penaliteteve të vendosura arrin në rreth 700 mijë euro.
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, bëri të ditur se individët janë përzgjedhur për kontroll mbi bazën e analizës së riskut, për shkak të mospërputhjes mes pasurisë së evidentuar dhe të ardhurave të deklaruara.
“Këta ishin individë që ne i konsideruam me risk të lartë, pra kishin makina të shtrenjta, por nga ana tjetër nuk kishin asnjë deklarim në administratën tatimore. Pra, ishin në një farë mënyre të paidentifikuar dhe këta u përzgjodhën për këtë arsye”, tha Binaj.
Sipas tij, kontrollet kanë rezultuar efektive, ndërsa shkelje janë konstatuar në pjesën dërrmuese të rasteve të verifikuara.
“Kontrollet kanë qenë mjaft efektive dhe janë vënë penalitetet për pothuajse për çdo kontroll që është bërë. Penalitetet kanë qenë në vlerë rreth 700 mijë euro”, deklaroi kreu i Tatimeve.
Hetimi i individëve me automjete me vlerë të lartë është pjesë e një qasjeje më të gjerë të administratës për identifikimin e rasteve ku niveli i pasurisë apo shpenzimeve nuk përputhet me të ardhurat e deklaruara.
Paralelisht, Tatimet po zgjerojnë aksionin e formalizimit të ekonomisë në sektorë të tjerë. Pas kontrolleve të fokusuara te turizmi dhe ndërtimi, në vëmendje do të kalojnë tregtia online dhe shërbimet mjekësore.
Sipas Binajt, puna për tregtinë online sapo ka nisur, ndërsa në sektorin e shërbimeve mjekësore vëmendja do të përqendrohet veçanërisht te deklarimi i pagave.
“Njëra ka të bëjë me tregtinë online, të cilën sapo e kemi filluar. Nga ana tjetër kemi edhe pagat në shërbimet mjekësore, që është një sektor që ne duam ta trajtojmë duke filluar nga fundi i këtij viti dhe duke vazhduar edhe vitin tjetër, për të krijuar një formalizim më të mirë të këtij sektori”, tha drejtori i Tatimeve.
Kjo do të thotë se tregtia online është fronti i radhës ku kontrollet kanë nisur, ndërsa shërbimet mjekësore pritet të jenë në fokus nga fundi i vitit 2026 dhe gjatë vitit 2027, me objektiv evidentimin e pagave të padeklaruara ose të deklaruara në nivele që nuk përputhen me realitetin.
Zgjerimi i kontrolleve sinjalizon se strategjia e Tatimeve po zhvendoset gradualisht nga aksionet e përqendruara në sektorë të caktuar drejt përdorimit të analizës së riskut edhe për individët, duke krahasuar treguesit e pasurisë dhe konsumit me të ardhurat e deklaruara. /ekofin.al
