Tregu i sigurimeve ka vijuar rritjen e qëndrueshme të primeve edhe për muajin maj. Referuar shifrave të bëra publike nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të ardhurat e kompanive të sigurimeve për 5 muajt e parë të vitit arritën në mbi 10 miliardë lekë, ose 7.6% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Rritje u shënua edhe sa i përket kontratave. Numri total i tyre në 5-mujor arriti në 609,763, ose 9.29% më shumë sesa vjet.
Vijon ndërkohë rritja e dëmeve sa i përket sigurimit motorik, e cili mbetet dominues në tregun e sigurimeve. Sipas të dhënave, shoqëritë në 5 muajt e parë të vitit kanë paguar 2.5 miliardë lekë dëme, ose 2.2% më shumë në sigurimin motorik. Ndërsa në total tregu, dëmet e paguara ishin 3.3 miliardë lekë për 5 mujorin, në rënie me 5.59% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik në 5-mujor arritën në mbi 6 miliardë lekë, 13% më shumë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Ky sigurim zë praktikisht rreth 60% të gjithë tregut.
Produkti MTPL e brendshme, në janar – maj 2025, pati një rritje prej 12.73% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 6.29% krahasuar me janar – maj 2024.
Produkti Karton Jeshil në janar – maj 2025 pati një rritje prej 15.75% të vëllimit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një rritje të numrit të kontratave prej 15.32% krahasuar me janar – maj 2024.
Produkti Sigurim Kufitar, në janar – maj 2025, pati një rritje 6.94% të vëllimit të primeve të shkruara bruto krahasuar me janar – maj 2024 dhe numri i kontratave u rrit me 5.35%.
Primet në sigurimin vullnetar shënuan një rritje shumë të vogël, me vetëm 0.37% në 5-mujor. Të ardhurat në këtë kategori sigurimi ishin mbi 4 miliardë lekë në 5 muajt e parë. Rritja e kontrata në këtë kategori sigurimi ishte më e madhe, me 9.88%.
Po primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës pësuan rënie me 2.65% në janar-maj 2025, ndikuar kryesisht nga rënia në sigurimin e pronës. Në këtë kategori sigurimi ka një rritje të numrit të kontratave me 9.39%, por primet ranë me 8.42% në 5-mujor.
Ndërsa primet në sigurimin e Jetës arritën në 945 milionë lekë, ose 11.61% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, duke sugjeruar një zhvillim të mëtejshëm të këtij tregu. /ekofin.al
