Nga zhvillimi dhe fuqizimi i startup-eve te investimet në sektorët kyç turizmi, energjia dhe sipërmarrjet innovative TIK dhe parqet teknologjike, Strategjia Kombëtare e Zhvillimit të Sipërmarrjes Inovative 2024 – 2030 planifikon një buxhet prej 1.57 miliardë Lekë për zhvillimin e ekosistemit të sipërmarrjes.
Sipas dokumentit të publikuar në Fletoren Zyrtare, Shqipërisë i duhet akoma të krijojë themelet e nevojshme për një klimë të larmishme biznesi. Krahasuar me fqinjët si Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ajo ka mbetur prapa në instrumentet për financimin e bizneseve startup.
Sipas të dhënave Start – Up Genome World Ecosystem Report 2022 ekosistemi i Beogradit dhe Novi Sad vlen 1.1 miliardë Euro, me kompanitë startup që arrijnë në 67 milion Euro për periudhën 2020-2022. Për më tepër investitorët e biznesit në Maqedoninë e Veriut kanë grumbulluar mbi 1.5 milionë Euro në sindikatat e investimeve vetëm për vitin 2022, ndërsa niveli i investimit në startupet shqiptare ka qenë më pak se 1 milion euro gjatë vitit 2021, që është krahasimisht i ulët me vendet e përmasave të ngjashme në Evropë dhe pjesë të tjerë të botës.
Deri në vitin 2030 Shqipëria synon të jetë një magnet për investime, të jetë një vend për talentet dhe një ekonomi konkurruese e orientuar nga eksporti, duke ndjekur rrugën e Specializimit Inteligjent.
Sektorët strategjikë janë biznesi, energjia, turizmi i cili gjatë viteve të fundit ka kontribuar me 8.5-8.7% të PBB, TIK-u, prodhimi dhe ndër ata më potencialët për zhvillim ekonomia blu, ushqimi i shëndetshëm dhe energjia e rinovueshme.
Sipas dokumentit, sektori ekonomik me rritjen më të shpejtë në vend është teknologjia e IT-së; segmenti më i madh është hardueri, duke zënë 55% të tregut, dhe pas tij tregu i TIK-ut që zë 30% ndërsa softueri 15% të tregut. Disa prej përfitimeve të Shqipërisë përfshijnë një infrastrukturë të shkëlqyer, tatime të ulët për personat juridike dhe punëtorë shumë të kualifikuar dhe me çmime të arsyeshme.
Sektori digjital do të fokusohet ndër të tjera në zhvillimin e infrastrukturës digjitale, përfshirë internetin me shpejtësi të lartë, rrjetet 5G dhe shërbimet “cloud”. Po kështu krijimi i një mjedisi virtual me shërbime të disponueshme në hapësirën fizike që të synohen sa më shumë sipërmarrës ruralë dhe ofrimi i të njëjtave mundësi për ta.
Buxheti për ngritjen e Parkut Teknologjik, komuniteteve inteligjente dhe projekteve të laboratorëve të gjallë së bashku me pushtetin vendor parashikohet në 45,000,000 lekë me financim 22,500,000 lekë nga buxheti i shtetit.
Strategjia parashikon gjithashtu ëngjëjt e biznesit me Qeverinë që synon të rrisë angazhimin e fondeve ndërkombëtare të diasporës në ekosistemin e sipërmarrjes shqiptare. Sektorët të ndryshëm të vendit tonë ofrojnë një mundësi të artë për të tërhequr themeluesit ndërkombëtar për të ngritur startupet e tyre këtu, citohet në publikim.
Megjithëse vendet e tjera si Estonia mund të kenë sisteme tatimore të favorshme, Shqipëria mund të kompensojë këtë me kosto më të lira të punës, punëtorë të talentuar dhe me arsim të lart dhe potencial të pazbuluar në sektorë të veçantë të industrisë, thuhet në dokument. Buxheti për tërheqjen e fondeve ndërkombëtarë dhe investitorëve nga diaspora parashikohet në 89 milionë lekë./ekofin.al