“Tani diskutimi kur blen një pronë nuk është më vetëm te m2, por te si janë ndërtuar dhe çfarë ka në ato m2”.
Kjo ishte një nga frazat që të bënte përshtypje nga fjala hapëse e mbajtur këtë të martë nga Jori Vila, themeluese dhe drejtuese e Oz Marketing, organizatore e edicionit të dytë të konferencës “Vlera e Pronës” në Tiranë. Kjo fjali e Jorit përmblidhte në fakt ndryshimin e qasjes që po përjeton tregu i pasurive të paluajtshme në Shqipëri.
Kjo qasje ishte në thelb të Konferencës “Vlera e Pronës II”, e cila u rikthye në Tiranë si një platformë diskutimi për një nga sektorët më dinamikë dhe më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare. Në një treg që ka njohur rritje të shpejtë vitet e fundit, fokusi nuk është më vetëm te volumi i ndërtimit, por te cilësia, standardet dhe vlera reale që krijojnë projektet.
Në fjalën e mbajtur në nisje të konferencës, që orientoi më tej edhe diskutimet e paneleve, Vila theksoi se ndërtimi nuk mund të shihet më thjesht si një aktivitet ekonomik. Ai po kthehet në një faktor që përcakton strukturën urbane të qyteteve, cilësinë e jetës dhe besimin e investitorëve.
Për këtë arsye, konferenca synoi të krijojë një hapësirë dialogu mes industrisë, institucioneve dhe profesionistëve që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e tregut.
Në këtë realitet të ri, roli i informacionit dhe analizës së tregut po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Kërko360, si sponsor gjeneral i aktivitetit, u prezantua si një platformë që synon të strukturojë këtë informacion, duke ofruar një model “One Stop Shop” për individët dhe investitorët që kërkojnë prona në Shqipëri dhe më gjerë. Drejtori i përgjithshëm, Miri Troka, theksoi se transparenca dhe aksesueshmëria e të dhënave janë elementë kyç për maturimin e tregut.
Konferenca mblodhi rreth 300 pjesëmarrës, nga zhvillues dhe kompani ndërtimi, te arkitektë, agjenci imobiliare, banka, investitorë dhe përfaqësues institucionesh. Ajo u organizua nga Oz Marketing, me mbështetjen e një rrjeti partnerësh që përfaqësojnë hallkat kryesore të zinxhirit të krijimit të vlerës në këtë sektor, përfshirë Gener2, Knauf Insulation, Texas Development dhe Orion Construction, Fibank, Saint-Gobain, Klar shpk, etj.
Diskutimet u zhvilluan në disa panele tematike, duke analizuar të gjithë ciklin e krijimit të vlerës në pasuritë e paluajtshme.
Paneli i parë, i fokusuar te kompanitë e ndërtimit, vuri theksin te standardet dhe proceset e kontrollit si elemente thelbësore për vlerën afatgjatë të një projekti. Përfaqësuesit e industrisë nënvizuan se cilësia nuk është më një avantazh konkurrues, por një domosdoshmëri.
Në panelin mbi materialet dhe qëndrueshmërinë, ekspertë nga kompani ndërkombëtare si Saint-Gobain dhe Knauf Insulation diskutuan rëndësinë e përdorimit të materialeve të certifikuara dhe përputhjes me standardet europiane. U theksua gjithashtu nevoja për një rol më aktiv të shtetit në klasifikimin e materialeve dhe garantimin e standardeve të ndërtimit.
Një nga debatet më të forta u zhvillua në panelin e tretë për investimet në pasuri të paluajtshme, ku u ngrit pyetja nëse tregu shqiptar reflekton realisht vlerën e pronës apo vijon të dominohet nga perceptimi. Ekspertët evidentuan mungesën e të dhënave të plota dhe transparencës, duke theksuar se shumë vendimmarrje mbështeten ende në pritshmëri dhe jo në analiza të strukturuara. Në këtë kontekst, u nënvizua nevoja për zhvillimin e instrumenteve më të avancuara financiare dhe për një analizë më të qartë të raportit risk–kthim.
Siguria juridike e pronës dhe studimet e tregut ishin në fokus të panelin të katërt, ku përfaqësues nga Deloitte Albania theksuan se investimet e qëndrueshme kërkojnë një bazë të fortë ligjore dhe analiza të detajuara paraprake.
Një element që përshkoi të gjitha diskutimet ishte roli në rritje i marketingut në këtë sektor. Ai nuk u konsiderua vetëm si një mjet shitjeje, por si një faktor që ndikon drejtpërdrejt në krijimin e vlerës së perceptuar dhe kthimin e investimit. Projektet moderne po konceptohen gjithnjë e më shumë si destinacione të plota, që ofrojnë jo vetëm hapësirë banimi, por edhe shërbime, komunitet dhe një përvojë jetese gjatë gjithë vitit.
Në panelin e fundit, atë për urbanistikën dhe arkitekturën, ekspertët theksuan se qytetet nuk mund të zhvillohen më mbi bazën e volumit të ndërtimit, por duhet të konceptohen si ekosisteme funksionale dhe të qëndrueshme. Elementë si dizajni, drita natyrale, materialet dhe planifikimi urban po marrin një rol vendimtar në përcaktimin e vlerës së një prone.
Konferenca “Vlera e Pronës II” solli një mesazh të qartë për tregun: vlera e një prone nuk përcaktohet më vetëm nga çmimi apo metrat katrorë, por nga një kombinim kompleks faktorësh – cilësia e ndërtimit, transparenca e të dhënave, siguria juridike, besimi i investitorëve dhe vizioni afatgjatë për zhvillimin urban.
Në këtë kuadër, tregu shqiptar i pasurive të paluajtshme duket se po hyn në një fazë të re maturimi, ku standardet dhe analiza po bëhen po aq të rëndësishme sa vetë ndërtimi. /ekofin.al
