Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë po nxjerrin në pah një fenomen të pazakontë politik: të gjitha partitë kryesore kanë pësuar rënie të mbështetjes krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Me mbi 98 për qind të votave të numëruara, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 43.04 për qind të votave, duke mbetur forca më e madhe politike në vend. Megjithatë, krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit 2025, partia e kryeministrit Albin Kurti ka humbur rreth 191 mijë vota, duke zbritur nga 487,077 vota në 295,553 vota.
Edhe Partia Demokratike e Kosovës, e renditur e dyta, ka shënuar rënie. PDK ka siguruar 21.11 për qind të votave, ndërsa numri i votuesve të saj ka rënë me rreth 47 mijë krahasuar me zgjedhjet e fundit, nga 192,434 në 144,974 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka marrë 17.68 për qind të votave. Edhe pse rënia e saj është më e moderuar se ajo e rivalëve, partia ka humbur rreth 4,700 vota, duke zbritur nga 126,163 në 121,422 vota.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës rezulton me 7.21 për qind të votave dhe ka humbur rreth 2,900 vota krahasuar me zgjedhjet e mëparshme. Ndërkohë, Lista Serbe ka siguruar 5.92 për qind të votave, me një rënie prej rreth 2,100 votash.
Të dhënat tregojnë se rënia e mbështetjes nuk është fenomen i izoluar për një forcë të vetme politike, por prek të gjithë spektrin kryesor partiak. Një pjesë e diferencës shpjegohet me faktin se rezultatet aktuale nuk përfshijnë ende votat e diasporës dhe votat me kusht, por edhe duke marrë në konsideratë këtë element, tendenca e tkurrjes së bazës elektorale duket e qartë.
Rezultati konfirmon se Vetëvendosje ruan epërsinë dhe mbetet forca dominuese në Kosovë, por njëkohësisht sinjalizon një lodhje të elektoratit dhe një pjesëmarrje më të ulët ose më të fragmentuar të votuesve.

