Zgjedhjet Parlamentare të 11 majit, shënojnë një moment të rëndësishëm për demokracinë shqiptare, jo vetëm për shkak të rëndësisë politike që mbartin, por edhe për shkak të sistemit të ri zgjedhor që po vihet për herë të parë në zbatim. Ndërkohë, në këtë proces elektoral, qytetarët do të kenë mundësinë të votojnë jo vetëm për partinë, por edhe për kandidatët individual, falë sistemit të listave të përziera, ku një e treta e listës mbetet e mbyllur, ndërsa dy të tretat janë të hapura.
Partitë politike, kanë përcaktuar kandidatët për 12 qarqet e Shqipërisë, duke përfshirë figura të njohura politike, por edhe emra të rinj në politikë. Për 140 vende në Kuvendin e Shqipërisë, në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, do të jenë gjithsej 2046 kandidatë të cilët garojnë. Por si janë të shpërndarë në qarqe?
Komisioni qëndror i zgjedhjeve ka përcaktuar ndarjen e mandateve për çdo qark. Qarkut të Tiranës, i janë përcaktuar 37 mandate, nga ku 12 do dalin nga listat e mbyllura dhe 25 në listë të hapur. Qarku i Fierit, si qarku i dytë pas Tiranës, ka 16 mandate deputetësh, nga ku 5 janë nga lista të sigurta, dhe 11 janë në lista të hapura. Ndërkohë, qarkut të Durrësit dhe të Elbasanit, i janë caktuar 14 mandate, nga ku 5 janë në lista të mbyllura, dhe 9 në lista të hapura.
Në Vlorë janë caktuar 12 mandate, ku 4 do të jenë në listë të mbyllur dhe 8 në listë të hapur. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, ka caktuar për qarkun e Shkodrës 4 mandate në lista të sigurta dhe 7 në lista të hapura. Qarku i Korçës do të përfaqësohet në parlamentin e ardhshëm me 10 mandate, nga ku 3 do të jenë në listë të mbyllur dhe 7 në listë të hapur. Ndërsa qarku i Lezhës dhe Beratit do të kenë përkatësisht nga 7 mandate, nga ku 2 do të dalin nga listat e mbyllura dhe 5 në listë të hapur.
Më pak do të ketë qarku i Dibrës, i cili do të nxjërrë 5 mandate, 2 në të mbyllura dhe 3 në lista të hapura, ai i Gjirokastrës me 4 mandate, nga ku 1 do të jetë në listë të mbyllur dhe 3 në listë të hapur. Si dhe qarku i Kukësit do të jetë qarku i cili do të ketë numrin më të ulët të deputetëve, ku i janë caktuar 3 mandate deputetësh, 1 në listë të mbyllur dhe 2 në listë të hapura.
Për shkak të numrit të lartë të kandidatëve në qarqe, një nga sfidat e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve për këtë proces zgjedhor ishte dhe fleta e votimit. Në qarqet kryesore, përmasat fizike të fletës së votimit, janë rritur ndjeshëm, ku në Tiranë janë 539 kandidatë në një fletë, në Fier janë 231 kandidatë ndërsa Durrësi dhe Elbasani kanë nga 209 kandidatë secili.Fleta e votimit, do të ketë përmasat 58.3 cm me 29.7 cm në të gjitha qarqet duke u kthyer edhe në sfidë për qytetarin në procesin e votimit. Por, numri i lartë i kandidatëve është, një tregues i gjallërisë demokratike, por nga ana tjetër krijon ngatërresa, kryesisht për moshat e treta, si dhe lodhje vizuale në qarqet e mëdha të sipër përmendura. Numri i lartë i kandidtatëve, nga ana tjetër tregon më shumë konkurrencë, më shumë aktorë si një shenjë se demokracia shqiptare po hyn në një fazë të re. /Scan Tv

