Çmimet e karburanteve në vend kanë pësuar sërish ulje, me Bordin e Transparencës që vendosi këtë të shtunë reduktimin me 2 lekë/litër të çmimit tavan të naftës, krahasuar me vendimin e fundit të ditës së enjte.
Sipas vendimit të ri, gazoili do të tregtohet maksimalisht me 195 lekë/litër në pakicë dhe 183 lekë/litër në shumicë, nga 197 lekë/litër që ishte tavani i mëparshëm. Ndërkohë, benzina do të shitet jo më shumë se 182 lekë/litër në pakicë dhe 170 lekë/litër në shumicë, nga 186 lekë/litër në vendimin e kaluar.
Bordi njoftoi se çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, më 23 maj, në orën 13:20 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme, ku do të reflektohen lëvizjet e mëtejshme të tregjeve ndërkombëtare.
Në njoftim theksohet se operatorët e tregtimit të karburanteve janë të detyruar të zbatojnë vendimin, ndërsa në rast shkeljesh do të aplikohet pezullimi i aktivitetit.
Autoritetet dhanë edhe një sqarim lidhur me aktin normativ të muajit prill për uljen e akcizës me 20% në rast se çmimet kalojnë 220 lekë/litër për naftën dhe 200 lekë/litër për benzinën. Duke qenë se çmimet aktuale janë poshtë këtyre kufijve, akciza do të zbatohet sërish në nivelin e plotë, pra 100%.
Lëvizja e fundit vjen në një moment kur tregjet ndërkombëtare të naftës kanë shfaqur tendencë më të moderuar, duke reflektuar gradualisht uljen edhe në tregun vendas pas tensioneve të javëve të fundit.
