Është botuar në Fletoren Zyrtare vendimi që specifikon rritjen e pagave sipas kategorive për punonjësit e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin. Në vendim saktësohen elementët përbërës të pagës bruto për personelin, sipas strukturave.
Elementet e pagës bruto mujore dhe vlerat për secilin element janë, si më poshtë vijon: a) Paga për gradë, që përfaqëson nivelin e pagës së punonjësit, në përputhje me gradën që ka fituar brenda nivelit përkatës. Vlera e pagës për gradë përcaktohet në lidhjen nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
b) Shtesa për natyrë të veçantë pune, që u jepet punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin për natyrën e veçantë të punës e të shërbimit që kryejnë, vlera e së cilës përcaktohet në lidhjen nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
c) Shtesa për vjetërsi shërbimi, që është shtesa që përfiton punonjësi i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, për çdo vit vjetërsi në shërbim, në masën 1 (një) % për çdo vit, deri në 25 (njëzet e pesë) vjet. Kjo shtesë llogaritet mbi vlerën e pagës bazë të gradës “asistent zjarrfikës”.
Për efekt të llogaritjes së shtesës për vjetërsi, “vite shërbimi” do të konsiderohen vitet e qëndrimit në gradë, të dokumentuara në librezën e punës apo, në mungesë të librezës së punës, me çdo dokument tjetër ligjor të lëshuar nga organet kompetente përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, të çdo punonjësi, në strukturat e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të Policisë së Burgjeve, të Gardës së Republikës së Shqipërisë, të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të Policisë së Shtetit, si dhe në strukturat e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Vitet që përjashtohen nga llogaritja e shtesës së vjetërsisë në shërbim, vetëm për efekt pagese, janë vitet e sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, vitet e punës si punonjës pa grada, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Punëve të Brendshme e të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare. Ekofin.al

