Botohet në Fletoren Zyrtare vendimi i qeverisë që miratoi procedurat, dokumentacionin dhe mënyrën e kompensimit për shoqëritë e linjave të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, për shkak të situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve.
Vendimi parashikon kompensim në masën 50 lekë për litër karburanti për periudhën 3-mujore mars, prill dhe maj 2026.
Sipas vendimit, kompensimi do të bëhet për shumën e konsumit të karburantit gjatë muajve mars, prill dhe maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025 për secilën shoqëri.
Efektet financiare totale llogariten në 250 milionë lekë. Nga kjo shumë, 120 milionë lekë do të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, ndërsa 130 milionë lekë nga buxheti i Bashkisë Tiranë për shoqëritë e linjave qytetëse të Tiranës.
Për të përfituar kompensimin, subjektet duhet të paraqesin kërkesën pranë administratës tatimore në juridiksionin ku janë të regjistruara, brenda 1 muaji nga hyrja në fuqi e vendimit. Dokumentacioni që duhet dorëzuar përfshin kërkesën sipas formularit të miratuar, kopjen e licencës aktive për transport qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, të dhënat identifikuese me NUIS, emrin e bankës ku subjekti ka llogarinë rrjedhëse bankare dhe IBAN-in në lekë, jo më shumë se 28 karaktere.
Shoqëritë që kryejnë vetëm aktivitet transporti duhet të dorëzojnë kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën mars, prill dhe maj të viteve 2025 dhe 2026. Ndërsa subjektet që ushtrojnë edhe aktivitete të tjera duhet të paraqesin edhe vetëdeklarimin e sasisë së karburantit të përdorur për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, kopje të fletëdaljeve të karburantit sipas targave të mjeteve për muajt mars, prill dhe maj të viteve 2025 dhe 2026, si dhe faturat fizike të furnizimit me karburant.
Kërkesat duhet të paraqiten pas datës 10 të muajit pasardhës, duke filluar nga muaji prill 2026. Në rast se dokumentet rezultojnë të paplota ose me mangësi, administrata tatimore ia kthen kërkesën subjektit brenda 5 ditëve pune për plotësim të dokumentacionit.
Pas verifikimit, administrata tatimore dërgon pranë degës së thesarit urdhërshpenzimet brenda 15 ditëve pune, duke bashkëlidhur listën përmbledhëse të subjekteve përfituese sipas bankave të nivelit të dytë ku ato kanë llogaritë bankare. Kur shpenzimet përballohen nga Bashkia Tiranë, administrata tatimore i dërgon dokumentacionin bashkisë brenda 10 ditëve pune, ndërsa Bashkia Tiranë përcjell më pas urdhërshpenzimet në thesar po brenda 10 ditëve pune.
Struktura e thesarit në degë, pas marrjes së urdhërshpenzimeve dhe listës së përfituesve, kryen pagesën brenda 5 ditëve pune.
Për shoqëritë e regjistruara pas muajit maj 2025, si vlerë reference për kompensimin do të merret vlera më e lartë e konsumit të karburantit për periudhën janar-shkurt 2026.
Vendimi përcakton se kërkesat për kompensim do të pranohen deri në datën 1 gusht 2026. /ekofin.al

