Duke nisur nga dita e sotme, mjekët e punësuar në institucionet shëndetësore publike, të cilët dëshirojnë të ushtrojnë profesionin e tyre edhe në qendra shëndetësore apo spitale private, duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim pranë titullarit të institucionit publik ku punojnë. Kështu parashikohet në udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë, i botuar tashmë në Fletoren Zyrtare.
Në kërkesë duhet të pasqyrohet qendra private ku mjeku dëshiron të punojë, si orarin gjatë të cilit do të ushtrojë profesionin.
Për të miratuar ose jo kërkesën e mjekut, titullari do të marrë në konsideratë ngarkesën e orëve të tij të punës, ngarkesën mendore dhe fizike që kërkohet për llojin e specialitetit, bazuar në të dhënat shkencore të publikuara që kanë të bëjnë me specialitete të ndryshme vendase dhe të huaja. Një aspekt tjetër është korrektesa e mjekut në respektimin e orareve të punës para datës së kërkesës, si dhe mundësinë e konfliktit të interesit.
Miratimet i njoftohen njëkohësisht edhe Ministrisë së Shëndetësisë dhe të dhënat do të jenë të aksesueshme nga të gjithë pas pasqyrimit në regjistrin publik elektronik, i cili do të krijohet për këtë qëllim.
Këto masa pritet që të ndikojnë jo vetëm në rregullimin e llogaridhënies së mjekëve, por njëkohësisht shmangien e abuzimeve me detyrën dhe ofrimin e një shërbimi më të mirë shëndetësor për qytetarët. /ekofin.al
