Zbardhen në Fletoren Zyrtare ndryshimet ligjore që prekin studentët e Mjekësisë së Përgjithshme.
Ligji parashikon trajtimin e veçantë për disa kategori studentësh e më konkretisht, kandidati që pranohet në programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “Mjekësi e përgjithshme” në arsimin publik, përpara zhvillimit të testimit të detyruar për pranimin nënshkruan marrëveshje para regjistrimit të tij si fitues në këtë program, me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Shëndetësisë, për të punuar pas studimeve si mjek në shtet për jo më pak se 3 vjet nga 5 vjet që ishte parashikimi i mëparshëm ligjor.
Trajtim të veçantë përfiton gjithashtu studenti i vitit të dytë deri në vitin e katërt akademik kur pranon të nënshkruajë marrëveshje para fillimit të vitit akademik përkatës dhe për të gjithë periudhën e kohëzgjatjes së studimeve, me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Shëndetësisë, për të punuar pas studimeve si mjek në shtet për jo më pak se 2 vjet nga 3 vjet që ishte parashikimi i mëparshëm ligjor.
Po kështu edhe studenti i vitit të pestë ose të gjashtë në këtë program kur të nënshkruajë marrëveshje para fillimit të vitit akademik përkatës dhe për të gjithë periudhën e kohëzgjatjes së studimeve, me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Shëndetësisë, për të punuar pas studimeve si mjek në shtet për jo më pak se 1 vit nga 2 vjet që ishte parashikimi i mëparshëm ligjor, si dhe pranon kalimin zyrtarisht të diplomës në institucionin shëndetësor ku punësohet deri në shlyerjen e detyrimeve për punësim sipas afatit 1-vjeçar, me të drejtën që pas përmbushjes së detyrimit të punësimit kandidati të tërheqë diplomën universitare.
Si do të bëhet punësimi?
Për studentët që përfundojnë programin e ciklit të dytë, punësohet në institucionet shëndetësore sipas nevojave për mjekë të shpallura nga ministria përgjegjëse për shëndetësinë dhe përzgjedhja e vendeve të punës bëhet nga mjeku i licencuar brenda kohëzgjatjes tremujore, në bazë të renditjes sipas notës mesatare të përfundimit të studimeve;
Në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 (tre) muajve për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 (nëntë) muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor për një periudhë jo më të gjatë se ky afat ose të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jopublike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9-mujore (nëntëmujore) në institucionet shëndetësore publike.
Kur mjeku nuk punësohet, pas përfundimit të afateve të caktuara, konsiderohet i përmbushur detyrimi ligjor dhe mjeku ka të drejtën të pajiset me diplomën përkatëse universitare.
Ligji i shtrin efektet në periudhën nga viti akademik 2025-2026 deri në vitin akademik 2029-2030. /ekofin.al
