Botohet në Fletoren Zyrtare ligji për Bankën Shqiptare të Zhvillimit, duke i hapur rrugë veprimtarisë së saj pas 15 ditësh.
Banka do të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe startup-et vendase për të nxitur rritjen, produktivitetin, konkurrueshmërinë dhe zgjerimin në tregjet ndërkombëtare;
Banka gjithashtu do të mbështesë me kredi eksportet e mallrave dhe shërbimeve vendase. Një fokus të veçantë do të kenë projektet publike, me përparësi për ekonominë e vendit, si dhe kredidhënia për zhvillimin, përmirësimin e modernizimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale të vendit.
Banka mund të kryejë gjithashtu veprimtari me objektiva tregtarë, bazuar në kushte tregu dhe parimet e konkurrencës së lirë, duke synuar kthime të krahasueshme me ato të tregut, me kusht që kjo veprimtari të jetë plotësuese e financimit të ofruar nga bankat tregtare.
Aksionari i parë i BZH-së është Shteti Shqiptar dhe kapitali fillestar është 10 miliardë lekë. Kapitali fillestar shlyhet në këste brenda një afati 4-vjeçar, ndërsa kësti i parë prej 1 miliard do të shlyhet brenda vitit 2026.
Pjesëmarrja e Shtetit Shqiptar nuk do të jetë më e vogël se 51% e kapitalit të regjistruar të aksioneve në çdo kohë. Aksionet e mbajtura nga Shteti Shqiptar, për të ruajtur këtë pjesëmarrje minimale, do të jenë të patransferueshme.
Sa i përket mënyrës së financimit, theksohet se BZH mund të mbledhë fonde përmes mekanizmave të ndryshëm, duke përfshirë pranimin e fondeve të kthyeshme nga publiku dhe instrumente të tjera financiare, të garantuara nga Shteti Shqiptar.
Banka mund të bashkëpunojë me Postën Shqiptare Sh.a. ose shoqëri të lidhura me të. Në këtë bashkëpunim, Posta Shqiptare ose entitetet e saj të lidhura do të luajnë rolin e ndërmjetësit midis BZH-së dhe publikut që dëshiron të përfitojë nga instrumentet financiare të lëshuara nga BZH, duke siguruar një qasje më të lehtë dhe efektive për qytetarët. /ekofin.al

