Qeveria ka ndërhyrë me një akt normativ emergjent për të zbutur efektin e rritjes së çmimeve të karburanteve, duke ulur përkohësisht nivelin e akcizës kur çmimet kalojnë pragje të caktuara në treg.
Vendimi, i miratuar më 3 prill 2026, parashikon që në rast se çmimi tavan i vendosur nga Bordi i Transparencës kalon 200 lekë/litër për benzinën dhe 220 lekë/litër për gazoilin, akciza të reduktohet në 80% të nivelit aktual. Konkretisht, akciza fiksohet në 31.50098 lekë për litër si për benzinën, ashtu edhe për gazoilin, duke synuar të amortizojë presionin mbi konsumatorët dhe bizneset në kushtet e “situatës së veçantë” të shpallur në tregun e hidrokarbureve.
Ky mekanizëm do të jetë në fuqi menjëherë dhe do të zbatohet për gjithë periudhën që zgjat kjo situatë e jashtëzakonshme.
Ndryshimi u paralajmërua nga Ekofin.al përpara disa ditësh, por u miratua vetëm sot.
Për vitin 2026, marrë në kondideratë edhe indeksimin, niveli aktual i akcizës së gazoilit (naftës) dhe benzinës është 39.37 lekë/litri. Sipas propozimit me këtë akt normativ, niveli i akcizës do të jetë 31.5 lekë/litri për të dy produktet. Por kjo masë hyn në fuqi automatikisht vetëm nëse çmimi total i tregtimit me pakicë kalon mbi 200 lekë/litri për benzinën dhe 220 lekë/litri për naftën.

Financa kishte njoftuar se kjo masë e përkohshme nuk mund të llogaritet se çfarë ndikimi do të ketë në buxhet për shkak të paqëndrueshmërisë së tregjeve ndërkombëtare. Megjithatë, argumenti është se humbja nga ulja e akcizës pritet të kompensohet pjesërisht nga rritja e të ardhurave nga TVSH-ja, si pasojë e çmimeve më të larta të importit./ekofin.al

