Yieldi 12 mujor i bonove të thesarit të qeverisë shënoi një tjetër rënie në ankandin e fundit të zhvilluar nga Banka e Shqipërisë më 11 mars 2025, duke zbritur këtë herë edhe poshtë normës bazë të interesit. Referuar të dhënave të publikuara nga BSH, Yield-i mesatar i ponderuar zbriti në 2.73%, poshtë nivelit prej 2.75% që qëndron prej disa muajsh tashmë norma bazë. Një gjë e tillë kishte ndodhur edhe në ankandin e dhjetorit të vitit të kaluar, atë të 26 dhjetorit, kur Yieldet zbritën në të njëjtën shifër.
Pas rritjes në ankandet e muajit janar, interesat e bonove të thesarit 12-mujoreve iu kthyen tendencës rënëse në ankandet e shkurtit, për të vijuar me një rënie të mëtejshme edhe në ankandin e parë për muajin mars. Kështu, nga 2.77% në ankandin e mëparshëm, yieldi zbriti në 2.73%.
Rënia e mëtejshme e interesave ka ndodhur për shkak se në këtë ankand vlera e ofruar ishte ndjeshëm më e lartë sesa ajo e shpallur. Kështu, nga 12 miliardë që ishte shuma e shpallur, oferta ka arritur në afro 17 miliardë lekë, me 29 kërkesa konkuruese, nga të cilat janë pranuar 13.
Bono 12-mujore është instrumenti kryesor referencë sidomos për kreditë hipotekore dhe rënia e mëtejshme e yieldeve nënkupton rënie të interesave të kredive për shtëpi në lekë dhe nxitje të mëtejshme të kreditimit. /ekofin.al

