Pas rritjes në ankandet e muajit janar, interesat e bonove të thesarit 12-mujore të titujve të Qeverisë, i janë kthyer tendencës rënëse, në ankandet e shkurtit.
Referuar të dhënave të bëra publike nga Banka e Shqipërisë, në ankandin e fundit, yieldi mesatar i ponderuar zbriti në 2.77%, në rënie të mëtejshme nga 2.79% që ishte në ankandin e mëparshëm të zhvilluar në mes të këtij muaji.
Rënia e interesat ka ndodhur edhe pse vlera e ofruar në këtë ankand ishte më e ulët sesa ajo që ishte shpallur fillimisht si kërkesë. Kështu, shuma e shpallur ishte 12.5 miliardë lekë, ndërkohë që oferta ishte 10.18 miliardë lekë, e cila është pranuar e gjitha.
Duhet theksuar se përsëri normat e interesit të yieldeve të bonove të thesarit kanë qëndruar relativisht të ulëta, duke u luhatur rrotull normës bazë të interesit prej 2.75%. Kjo ndikuar edhe nga ndryshimi i kahut të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, kryesisht gjatë gjysmës së dytë të vitit të kaluar, kur nisi edhe ulja e normës bazë të interesit, përkundrejt inflacionit në rënie.
Bono 12-mujore është instrument kryesor referencë sidomos për kreditë hipotekore dhe normat e ulëta të interesit të yieldeve vijojnë të jenë të favorshme për kredi më të lira dhe për nxitje të mëtejshme të kreditimit. /ekofin.al
