Yield-i i obligacionit 30-vjeçar të Thesarit amerikan mbetet mbi 5%, pranë niveleve të vitit 2007.
Në të njëjtën kohë, kostot e huamarrjes së qeverive janë rritur në nivelet më të larta prej dekadash në Gjermani, Japoni dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas pothuajse çdo matjeje tradicionale, ky duhet të ishte një lajm i keq për tregjet e aksioneve.
Yield-et më të larta të obligacioneve rrisin kostot e huamarrjes, ushtrojnë presion mbi vlerësimet e aksioneve dhe u japin investitorëve një alternativë më tërheqëse ndaj bursës.
Megjithatë, tregjet e aksioneve pothuajse nuk kanë reaguar.
S&P 500 është rritur me rreth 13% këtë vit dhe ndodhet më pak se 1% nën rekordin e 13 gushtit. Indeksi evropian STOXX 600 ka fituar rreth 9.5%, ndërsa Nikkei 225 i Japonisë është rritur me më shumë se 27%.
Kjo i lë investitorët përballë një enigme: nëse yield-et më të larta supozohet se dëmtojnë aksionet, pse bursat po tregohen ende kaq rezistente?
Përgjigjja mund të mos qëndrojë te niveli i yield-eve, por te arsyeja pse ato po rriten.
Yield-et më të larta mund të jenë shenjë e një ekonomie të fortë
Presidenti i Rezervës Federale të Nju Jorkut, John Williams, dha këtë javë një sinjal veçanërisht të rëndësishëm.
Duke folur për CNBC, Williams tha se rritja e yield-eve afatgjata po nxitet në masë të madhe nga forca e ekonomisë dhe investimet në inteligjencën artificiale dhe qendrat e të dhënave.
“Ajo që po e nxit këtë… është në të vërtetë një ekonomi e fortë amerikane dhe një perspektivë e fortë ekonomike, e ushqyer nga investime të mëdha në AI, qendrat e të dhënave dhe teknologjinë në përgjithësi”, tha Williams.
Kjo e ndryshon ekuacionin për investitorët.
Nëse yield-et rriten sepse investitorët presin rritje më të fortë ekonomike, atëherë kompanitë mund të gjenerojnë gjithashtu më shumë të ardhura dhe fitime.
Kostot më të larta të financimit përbëjnë një pengesë, por rritja e fitimeve mund të kompensojë një pjesë të këtij presioni.
Williams e bëri edhe më të qartë këtë dallim. Sipas tij, nuk është domosdoshmërisht rasti që kushtet financiare po e dobësojnë ekonominë.
“Ka të bëjë më shumë me ekonominë që po ndikon kushtet financiare”, tha ai.
Kevin Warsh sheh një ekonomi që ende po e përballon presionin
Kryetari i Rezervës Federale, Kevin Warsh, paraqiti një version të së njëjtës tezë në Jackson Hole më 28 gusht.
Warsh tha se shpenzimet reale të konsumatorëve ishin rritur me më shumë se 2% gjatë katër tremujorëve të mëparshëm. Blerjet private finale të brendshme, një tregues që kombinon konsumin dhe investimet, ishin rritur me një ritëm vjetor prej pothuajse 3% gjatë vitit 2026.
Ai theksoi gjithashtu se tregu i punës mbetet relativisht i qëndrueshëm.
“Norma e papunësisë, në 4.1%, mbetet e ulët sipas standardeve historike dhe nuk ka ndryshuar shumë prej disa vitesh”, tha Warsh.
Por, më e rëndësishme për debatin mes obligacioneve dhe aksioneve ishte kjo deklaratë e tij:
“Në tërësi, do ta kisha të vështirë t’i përshkruaja kushtet e përgjithshme financiare si shtrënguese.”
Kjo është një deklaratë e fortë në një mjedis ku kostot afatgjata të huamarrjes janë rritur ndjeshëm.
Ajo sugjeron se yield-et më të larta ende nuk janë përkthyer në atë lloj shtrëngimi financiar që normalisht do të kërcënonte ciklin ekonomik.
Bumi i fitimeve po u jep aksioneve një “jastëk” mbrojtës
Mbështetja më e fortë për tregjet e aksioneve vjen nga vetë rezultatet financiare të kompanive.
Sipas raportit Earnings Insight të FactSet, të publikuar më 28 gusht, me 97% të kompanive të S&P 500 që kishin raportuar rezultatet e tremujorit të dytë, 86% kishin tejkaluar pritshmëritë për fitimet dhe 77% pritshmëritë për të ardhurat. Të dyja këto nivele janë mbi mesataret e pesë dhe dhjetë viteve të fundit.
Rritja e kombinuar e fitimeve për tremujorin rezulton në 52%, çka do të ishte norma më e lartë që nga tremujori i dytë i vitit 2021.
Të ardhurat u rritën me 15.5%, ndërsa marzhi neto i fitimit arriti në 17%, niveli më i lartë që FactSet ka regjistruar që kur nisi ta ndjekë këtë tregues në vitin 2009.
Edhe “rojtarët e obligacioneve” nuk po japin ende alarmin
Një nga zërat më interesantë në këtë debat mund të jetë Ed Yardeni, ekonomist i njohur amerikan me origjinë izraelite dhe president i Yardeni Research.
Yardeni krijoi termin “bond vigilantes” në vitin 1983 për të përshkruar investitorët që ushtrojnë presion mbi qeveritë përmes tregut të obligacioneve, kur besojnë se politika fiskale është bërë e papërgjegjshme ose politika monetare është tepër e dobët përballë inflacionit.
Deri tani, ai nuk po jep alarmin.
Yield-i i obligacionit 10-vjeçar amerikan mbetet përgjithësisht brenda intervalit 4%-5%, të cilin Yardeni e quan “normalja e vjetër”, që sipas tij karakterizonte periudhën mes viteve para krizës financiare dhe pandemisë.
Ai vëren gjithashtu se yield-i vazhdon të jetë më i ulët se rritja nominale e PBB-së amerikane.
“Do të shqetësohemi për borxhin e qeverisë kur të shqetësohen edhe ‘Bond Vigilantes’”, shkroi Yardeni.
Kjo nuk do të thotë se investitorët duhet të injorojnë rritjen e yield-eve.
Do të thotë se pragu kritik mund të mos jetë një numër i caktuar, si për shembull 5%.
Sinjali më serioz paralajmërues do të vinte nëse yield-et do të vazhdonin të rriteshin ndërkohë që rritja ekonomike dobësohej, parashikimet për fitimet binin dhe pritshmëritë për inflacionin përshpejtoheshin.
Kjo do të krijonte kombinimin që tregjet e aksioneve e druhen më shumë: norma më të larta skontimi dhe fitime më të ulëta.
Testi i vërtetë është ajo që ndodh më pas
Për momentin, të dhënat tregojnë një treg që po përballet me norma më të larta interesi, por që njëkohësisht mbështetet nga fitime jashtëzakonisht të forta të kompanive.
Mësimi i vitit 2026 deri tani është se niveli i yield-eve ka më pak rëndësi sesa ajo që po ndodh paralelisht me to.
Kjo nuk do të thotë se aksionet janë imune ndaj rritjes së yield-eve, por sugjeron se investitorët mund të jenë duke bërë pyetjen e gabuar.
Në vend që të pyesin nëse yield-et më të larta të obligacioneve janë automatikisht të këqija për aksionet, duhet të pyesin se çfarë po i shtyn ato lart.
Nëse yield-et rriten sepse produktiviteti, investimet dhe rritja ekonomike po forcohen, tregjet e aksioneve potencialisht mund ta përballojnë goditjen.
Nëse yield-et rriten sepse qeveritë po humbasin kontrollin mbi inflacionin dhe tregjet e borxhit po kërkojnë kompensim më të madh për rrezikun, atëherë situata ndryshon plotësisht.
Testi i radhës vjen më 16 shtator, kur Rezerva Federale do të mblidhet për herë të parë që kur Warsh i tha botës se politika monetare nuk është shtrënguese.
Nëse ai e ka seriozisht këtë qëndrim, investitorët e obligacioneve më në fund mund të marrin përgjigjen që kanë kërkuar./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
