Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA), festoi me krenari pesë vjet partneritet të suksesshëm me Wizz Air, një nga linjat ajrore me kosto të ulët më të mëdha në Evropë. Që prej hapjes së bazës së saj në Tiranë në vitin 2020, Wizz Air ka luajtur një rol kyç në zgjerimin e lidhjeve ajrore ndërkombëtare të Shqipërisë, duke e kthyer TIA-n në një nga aeroportet me rritjen më të shpejtë në rajon.
Për të shënuar këtë përvjetor të rëndësishëm, u organizua një event i veçantë me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Wizz Air, mediave, partnerëve institucionalë, Ambasadorëve të TIA dhe stafit të aeroportit. Gjatë festimeve, Wizz Air njoftoi nisjen e tre destinacioneve të reja nga Tirana drejt:
- Larnaka, Qipro
- Málaga, Spanjë
- Malta
Këto destinacione të reja, që më parë nuk kanë qenë të lidhura drejtpërdrejt me Tiranën, do të nisin operimin në Tetor 2025. Linjat për në Larnaka dhe Málaga do të jenë dy herë në javë, ndërsa fluturimet për në Maltë do të zhvillohen tri herë në javë. Me këto shtesa, Wizz Air do të operojë 56 destinacione në 18 shtete nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, duke i ofruar pasagjerëve më shumë mundësi për udhëtime kulturore dhe pushime nëpër Evropë.
Në kuadër të përvjetorit, Wizz Air lançoi edhe një promocion të veçantë një-ditor, me 15% ulje për fluturimet e përzgjedhura drejt dhe nga Tirana për rezervime të bëra më 1 Korrik 2025 dhe për udhëtime deri më 31 Gusht 2025.
Pasagjerët u mirëpritën me dekorime festive, atmosferë pozitive dhe embëlsira të markuara të shpërndara nga stafi i TIA-s dhe Wizz Air. Eventi theksoi bashkëpunimin e fortë midis dy organizatave dhe përkushtimin e tyre të përbashkët ndaj cilësisë së shërbimit dhe zgjerimit të rrjetit.
“Jemi krenarë të festojmë pesë vite partneritet me Wizz Air—një kompani që ka ndikuar ndjeshëm në zgjerimin e lidhjeve ndërkombëtare të Shqipërisë,” – u shpreh Piervittorio Farabbi, Drejtor i Përgjithshëm Operacional i Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës. “Falë vizionit dhe investimeve të Grupit Kastrati, TIA vazhdon të zhvillohet si një qendër rajonale, duke u ofruar pasagjerëve më shumë akses drejt Evropës dhe duke përmirësuar përvojën e udhëtimit. Jemi të motivuar të arrijmë edhe më shumë arritje së bashku.”
“Sot shënon një moment të rëndësishëm për Wizz Air në Shqipëri. Në vetëm pesë vite, Tirana është kthyer në një bazë kyçe për rrjetin tonë rajonal dhe jemi të lumtur ta festojmë me destinacione të reja dhe një ofertë speciale për klientët tanë. Falenderojmë Aeroportin e Tiranës për mbështetjen e vazhdueshme dhe presim me padurim të rritemi më tej së bashku,” – u shpreh Salvatore Gabriele Imperiale, Menaxher i Komunikimit Korporativ në Wizz Air.
Që prej nisjes së operimeve në Shqipëri në vitin 2017, Wizz Air ka transportuar mbi 19 milionë pasagjerë drejt dhe nga vendi. Me nisjen e destinacioneve të reja dhe investimet e vazhdueshme në tregun shqiptar, Wizz Air dhe TIA riafirmojnë përkushtimin e tyre të përbashkët për të ofruar udhëtime të përballueshme, të besueshme dhe të aksesueshme drejt një game të gjerë destinacionesh.
DESTINACIONET E REJA WIZZ AIR NGA TIRANA
| Destinacioni | Frekuenca | Çmimi nga | Data e Nisjes |
| Tirana – Málaga | Të Hënë dhe të Premte | €29.99 | 27 Tetor 2025 |
| Tirana – Malta | Të Martë, të Enjte, të Shtunë | €24.99 | 2 Tetor 2025 |
| Tirana – Larnaka | Të Martë dhe të Shtunë | €24.99 | 4 Tetor 2025 |
