Wizz Air, kompania ajrore më e përgjegjshme për mjedisin në EMEA, ka përfunduar vitin 2024 duke thyer sërish rekordin e saj – gati 63 milionë pasagjerë kanë zgjedhur të udhëtojnë me kompaninë gjatë vitit të kaluar në mbi 300,000 fluturime, trafiku më i lartë vjetor i pasagjerëve për Wizz Air.
Në vitin 2024, Wizz Air forcoi pozicionin e saj si një transportues kryesor në tregun shqiptar, duke arritur rezultate të shquara operacionale, me pothuajse 6.2 milionë pasagjerë, që është 39.1% më shumë se në 2023. Kompania ajrore gjithashtu realizoi mbi 31,000 fluturime, duke theksuar përkushtimin e Wizz Air ndaj ekselencës operative. Për më tepër, kompania ajrore zgjeroi rrjetin e saj nga Tirana, duke shtuar katër drejtime të reja drejt Valencias, Salernos, Shtutgartit dhe Leipzigut, e kështu duke rritur lidhjen e Shqipërisë me destinacione kryesore europiane. Këto arritje theksojnë angazhimin e Wizz Air për të mbështetur tregun shqiptar me mundësi udhëtimesh të përballueshme dhe të besueshme.
Në 2024, Wizz Air nisi pothuajse 100 rrugë të reja në të gjithë rrjetin e saj. Në të njëjtën kohë, kompania mori në dorëzim 34 avionë, duke rritur madhësinë e flotës së saj me 15%. Nga 226 avionët e flotës së Wizz Air, 146 janë Airbus A320/21neo krejtësisht të rinj, të cilët ofrojnë performancën dhe karakteristikat më të mira të qëndrueshmërisë në klasën e tyre, me teknologjinë ‘neo’, e cila tanimë fuqizon 65% të operacioneve të Wizz Air.
Gjatë vitit 2025 dhe fillimit të 2026-ës, Wizz Air pret të marrë në dorëzim 50 avionë të rinj Airbus A321neo dhe A321XLR. Këta avionë të teknologjisë së fundit do të çojnë përqindjen e këtij tipi në flotën e WIZZ në 77%, ndërsa kompania vazhdon të nxjerrë në pension avionët e familjes A320ceo, duke forcuar më tej operacionet e saj me efikasitet të lartë të karburantit dhe kredencialet udhëheqëse të qëndrueshmërisë në treg.
Vitin e kaluar, Wizz Air përfundoi 99.5% të fluturimeve të saj të planifikuara, që është rezultati i tretë më i mirë ndër të gjitha kompanitë ajrore europiane dhe shumë mbi mesataren e industrisë. Wizz Air gjithashtu përmirësoi më tej performancën e saj në kohë, duke u bërë kompania e dytë ajrore me kosto të ulët më të përpiktë në Europë.
Për të përmirësuar më tej përvojën e klientëve, Wizz Air trefishoi kapacitetin e qendrave të saj të Kujdesit ndaj Klientit, implementoi asistentin zanor 24/7 ‘Amelia’ për pasagjerët në raste të ndërprerjeve dhe prezantoi një platformë të re Ndihme në wizzair.com.
Së fundmi, Wizz Air është krenare që vazhdon të shquhet lidhur me përpjekjet e saj për qëndrueshmëri, duke u shpallur “Grupi i Kompanive Ajrore më të Qëndrueshme në EMEA për vitin 2024” nga CAPA, “Kompania më e Mirë për Reduktimin e Karbonit” dhe “Kompania Ajrore më e Qëndrueshme me Kosto të Ulët” për të katërtin vit radhazi nga World Finance.
Menaxherja e Komunikimeve Korporative dhe Qëndrueshmërisë e Wizz Air, Anastasia Novak, u shpreh: “Jemi të emocionuar të përfundojmë vitin e 20-të të operacioneve tona me trafikun më të lartë të pasagjerëve dhe një pjesë të tregut prej 60% në Shqipëri. Jemi mirënjohës për çdo pasagjer që ka zgjedhur të fluturojë me Wizz Air në 2024. Jemi krenarë që kemi përmirësuar më tej performancën tonë operative dhe përvojën e klientit dhe do të vazhdojmë të investojmë ndjeshëm në këto fusha. Shqipëria mbetet një nga tregjet tona më dinamike dhe me rritjen më të shpejtë, dhe ne jemi të përkushtuar për të forcuar më tej lidhjet dhe për të ofruar opsione udhëtimesh të përballueshme për pasagjerët shqiptarë.”
Marrëdhënie me Publikun