Familjet shqiptare zotërojnë pasuri të llojit prona të paluajtshme kryesisht “shtëpi banimi”, por jo mjaftueshëm pasuri financiare.
Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë, i shpërndarë në 1200 familje, tregon se 94% (nga 1055 familje të përgjigjura) zotërojnë të paktën një pronë të patundshme dhe kjo peshë ka shënuar një rënie të vogël me 0.5 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe me 0.4 pikë përqindjeje krahasuar me një vit më parë.
Familjet e përgjigjura deklarojnë se zotërojnë në total 1457 prona të patundshme të llojeve të ndryshme ku: 92% e tyre (972 familje) zotërojnë ‘1-2 prona të patundshme’ kryesisht të llojit ‘shtëpi banimi’ ose kombinim i një shtëpie banimi dhe një prone tjetër si ‘tokë’, ‘dyqan’, ‘godinë’ etj.
Kjo peshë ka rënë me 0.4 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar dhe është rritur në po të njëjtën masë krahasuar me një vit më parë. Nga ana tjetër, 2% deklarojnë se zotërojnë ‘më shumë se 2 prona të patundshme’ (shtëpi dhe tokë/dyqan etj.), ndërsa 6% kanë deklaruar se ‘nuk zotërojnë asnjë pronë’.
Duke e fokusuar analizën vetëm në grupin e familjeve huamarrëse (248 familje), rezulton se: rreth 93% e tyre (233 familje) zotërojnë ‘1-2 prona të patundshme’ në momentin e intervistimit dhe kjo peshë ka mbetur e pandryshuar si në terma gjashtëmujorë ashtu edhe në terma vjetorë. Në shumicën e rasteve, këto prona janë një shtëpi banimi ose kombinimi i një shtëpie dhe një sipërfaqe toke.
Ndërsa sa u përket pasurive financiare rezulton se për gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, 11% e totalit të kampionit (familje huamarrëse dhe johuamarrëse) dhe 25% e grupit të familjeve huamarrëse, ‘nuk zotërojnë asnjë lloj pasurie financiare’.
Duke analizuar vetëm pjesën e familjeve që kanë deklaruar pasuri financiare të formave të ndryshme (përjashtuar rastet që ‘nuk kanë asnjë lloj pasurie financiare’), rezulton se ‘depozitat dhe/ose llogaritë bankare’ vijojnë të mbeten lloji kryesor i investimit financiar, si në rastin e totalit të kampionit të familjeve (68% e rasteve të raportuara) dhe në rastin e familjeve huamarrëse (82% e rasteve të raportuara).
Krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar, këto pesha kanë rënë respektivisht me 1 pikë përqindjeje (për totalin e kampionit) dhe me 3 pikë përqindjeje (në rastin e familjeve huamarrëse), por krahasuar me një vit më parë kanë shënuar rritje me 17 pikë përqindjeje dhe 32 pikë përqindjeje.
Përdorimi i formave të tjera të investimit, ka rezultuar në rritje me 1 pikë përqindjeje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar në rastin e totalit të kampionit të vrojtuar dhe me 3 pikë përqindjeje në rastin e grupit të familjeve huamarrëse.
