Tregu i telefonisë celulare po rritet me ritme të ngadalta këtë vit nga njëri tremujor në tjetrin, ndërkohë që krahasuar me tre-mujorët respektivë të vitit 2023, ai vijon të rezultojë me rënie.
Referuar shifrave të fundit të publikuara nga AKEP, numri i përgjithshëm i abonentëve të shërbimeve celulare sipas kartave SIM arriti në rreth 3,832,487 në fund të tre-mujorit të tretë 2024, me një rritje prej 3.6% krahasuar me tre-mujorin paraardhës, por me rënie prej 2.6% në krahasim me tre-mujorin e tretë 2023.
Edhe përdoruesit aktivë të telefonisë celulare shënuan rritje me 11.1% krahasuar me tre-mujorin e dytë të vitit 2024, duke arritur në 2.8 milionë, ndërkohë që krahasuar me tre-mujorin e tretë 2023 pësuan rënie me 6.8%.
Përdoruesit aktivë të internetit nga rrjetet celulare arritën në 2.3 milionë në fund të tre-mujorit të tretë, me rritje prej 15.1% krahasuar me tre-mujorin e dytë, si edhe me rënie prej 6.5% krahasuar me tre-mujorin e tretë të vitit të kaluar.
Numri i abonentëve të kompanisë Vodafone u rrit me 7.8% krahasuar me tre-mujorin parardhës, duke arritur në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave për këtë kompani, 1,975,173, shifër kjo gjithashtu më e lartë sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Përdoruesit aktivë të shërbimeve celulare të Vodafone u rritën me 15% krahasuar me tre-mujorin e kaluar, duke arritur në 1,526,852.
Një rritje domethënëse për Vodafone shënuan edhe përdoruesit e internetit në rrjetet e tij të telefonisë celulare. Kështu, në fund të tre-mujorit të tretë numërohen 1,424,823 përdorues interneti në rrjetin Vodafone, ose 17.6% më shumë sesa tre-mujori i mëparshëm. Kjo shifër përdoruesish shënoi rritje edhe krahasuar me tre-mujorin e tretë të vitit 2023. /ekofin.al
