Viti buxhetor po shkon drejt mbylljes, por suficiti që reflekton mosshpenzimin e parave të buxhetuara për këtë vit, mbeti sërish në nivele rekord edhe në fund të nëntorit. Referuar të dhënave të publikuara sot nga Ministria e Financave, suficiti pësoi një ulje të papërfillshme krahasuar me tetorin, duke mbetur në 71.7 miliardë Lekë.
Kjo është hera e parë që një sasi kaq e madhe parash mbetet e pashpenzuar, ndërkohë që së fundmi u ndërhy me Akt Normativ për të rialokuar fondet, duke i hequr nga ato zëra të buxhetit që nuk janë shpenzuar. Sipas të gjitha gjasave, këto fonde që mbeten të pashpenzuara deri në fund, zakonisht me faturimet deri në fund të janarit 2025, do t’i kalojnë borxhit, duke e ulur më tej atë.
Në këtë rast, ulja e borxhit mund të duket një gjë shumë e mirë, pasi krijon më shumë hapësira huamarrjeje dhe ul presionin ndaj Financave, por në anën tjetër mosrrealizimi i investimeve të parashikuara ka ndikim direkt në frenimin e rritjes ekonomike të vendit.
Njoftimi i Ministrisë së Financave
Ministria e Financave ka publikuar të dhënat e performancës fiskale për periudhën Janar-Nëntor 2024, duke ofruar një pasqyrë të qartë mbi ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimin e shpenzimeve të buxhetit. Ky raport tregon një rritje të qëndrueshme të të ardhurave, si dhe një menaxhim të kontrolluar të shpenzimeve publike gjatë 11 muajve të vitit 2024.
Për periudhën Janar-Nëntor 2024, të ardhurat totale arritën në 647 miliardë lekë, duke realizuar 100% të planit të periudhës. Kjo tregon një performancë të shkëlqyer krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku të ardhurat u rritën me 60.5 miliardë lekë, ose 10.3% më shumë se në vitin 2023.
Të ardhurat e mbledhura nga Tatimet dhe Doganat, pa përfshirë kontributet, arritën në 416.4 miliardë lekë, që është 8.2% më shumë se një vit më parë. Ky rezultat tregon një forcim të administratës tatimore dhe doganore, e cila ka arritur të mbledhë më shumë të ardhura nga tatimet dhe taksat që mbështesin financat publike.
– Të ardhurat nga administrata doganore (TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në 209 miliardë lekë, një rritje prej 5.8% krahasuar me vitin 2023.
– TVSH në import u rrit me 5.2%, duke arritur në 140.4 miliardë lekë.
– Akciza pati një rritje të konsiderueshme prej 9.1%, duke arritur në 57.8 miliardë lekë.
– Të ardhurat nga administrata tatimore arritën 207.5 miliardë lekë, duke u rritur me 10.8% krahasuar me 2023. Pjesa më e madhe e kësaj rritjeje vjen nga:
– TVSH neto, e cila u rrit me 27%, duke arritur në 54.7 miliardë lekë.
– Tatimi mbi fitimin arriti në 51.2 miliardë lekë, me një realizim të planit prej 99.2%.
– Tatimi mbi të ardhurat personale u rrit me 13.6%, duke arritur në 60.1 miliardë lekë.
– Taksat nacionale për këtë periudhë u rritën me 20.8%, duke arritur në 41.4 miliardë lekë.
– Të ardhurat nga fondet speciale dhe sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të mbledhura nga Administrata Tatimore, ISSH dhe FSDKSH, arritën në 146.7 miliardë lekë, duke u rritur me 15% krahasuar me vitin 2023 dhe duke tejkaluar planin për 11-mujorin 2024 me 101.4%.
Shpenzimet e përgjithshme publike për periudhën Janar-Nëntor 2024 arritën në 575.3 miliardë lekë, që është 88.1% e planit të periudhës. Krahasuar me vitin 2023, shpenzimet janë rritur me 27 miliardë lekë, ose 4.8% më shumë. Ky rezultat tregon një menaxhim të kujdesshëm të shpenzimeve dhe një rritje të kontrolluar të tyre në përputhje me të ardhurat që janë mbledhur.
Në nivel vjetor, shpenzimet janë realizuar në 78% të planit vjetor sipas buxhetit fillestar dhe 74.6% të planit vjetor sipas Aktit Normativ nr. 3 të 28.08.2024, duke treguar se qeveria ka ruajtur një disiplinë të lartë në menaxhimin e fondeve.
Shpenzimet korente për këtë periudhë arritën në 512.5 miliardë lekë, që është 7.9% më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo rritje reflekton nevojën për financimin e shërbimeve publike dhe mbështetje për sektorët kyç, si arsimi, shëndetësia dhe infrastruktura. /ekofin.al