Në muajin Janar 2025, Indeksi i Çmimeve të Konsumit (CPI) arriti në 118,7, krahasuar me muajin Dhjetor 2020, duke shënuar një rritje vjetore prej 1,9%. Kjo është një ulje e ndjeshme krahasuar me një vit më parë, kur ndryshimi vjetor ishte 3,4%. Në nivel mujor, çmimet janë rritur me 0,4% në krahasim me Dhjetorin 2024.
Grupi më ndikues për rritjen vjetore të çmimeve ishte “Ushqime dhe pije joalkoolike”, i cili kontribuoi me +0,91 pikë përqindje në ndryshimin total. Pas këtij grupi, “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikoi me +0,29 pikë, ndërsa “Pije alkoolike dhe duhan” kontribuoi me +0,19 pikë përqindje.
Në nivel grupe, “Ushqime dhe pije joalkoolike” shënoi rritje të çmimeve me 2,6% krahasuar me Janarin e vitit të kaluar, ndërsa grupi i “Argëtimit dhe kulturës” pati rritjen më të madhe, me 5,7%.
Nga ana tjetër, grupi i “Transportit” shënoi ulje me 2,5%, duke kontribuar negativisht në ndryshimin vjetor të indeksit të çmimeve të konsumit. Kjo tregon një tendencë të uljes së kostos në këtë sektor, pas një periudhe të gjatë rritjeje të çmimeve të karburantit dhe shërbimeve të transportit.
Çmimet e disa produkteve ushqimore janë rritur ndjeshëm gjatë muajve të fundit. Nëngrupe të ushqimeve, çmimi i mishit është rritur me 4,0%, ndërsa çmimi i “qumësht, djathë dhe vezë” pati një rritje prej 3,3%. Po ashtu, zarzavatet, përfshirë patatet, u shtrenjtuan me 3,0%, ndërsa çmimi i peshkut u rrit me 2,0%.
Në nivel mujor, çmimet e grupeve “Ushqime dhe pije joalkoolike” janë rritur me 0,9%. Po ashtu, grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” u rritën me 0,3% secili. Rritja e çmimeve ka qenë më e moderuar krahasuar me muajin dhjetor, ndërsa çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” ranë me 0,3%.
Të dhënat e fundit të publikuara nga INSTAT tregojnë një rritje të moderuar të çmimeve të konsumit, e cila është ndikuar kryesisht nga sektorët e ushqimeve dhe pajisjeve shtëpiake. Megjithatë, ulja e çmimeve të transportit dhe rritja e lehtë e çmimeve në disa kategori tregojnë për një balancë mes faktorëve të ndryshëm që ndikojnë në kostot e jetesës.