Bashkitë vijojnë të shpenzojnë më shumë për paga dhe personel, ku një pjesë e tyre rezulton të ketë fryrë më tej organikën, në vitin 2025, që ishte edhe vit zgjedhor.
Sipas shifrave të Financave, shpenzimet e pushtetit vendor arritën në 87.8 miliardë lekë, ose 17.9% më shumë krahasuar me një vit më parë. Kjo do të thotë 13.4 miliardë lekë më shumë të shpenzuara nga 61 bashkitë e vendit krahasuar me vitin 2024.
Peshën më të madhe në buxhetin vendor e kanë mbajtur shpenzimet për paga dhe sigurime, të cilat zënë 45.6% të totalit. Ky zë mbetet pjesa më e madhe e shpenzimeve të bashkive dhe tregon se një pjesë e konsiderueshme e fondeve vendore përdoret për mbajtjen e administratës dhe strukturave të shërbimeve publike.
Shpenzimet operative zunë 25.3% të totalit të shpenzimeve në vitin 2025, ose rreth 4.1 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë.
Investimet vendore, të cilat kanë ndikimin më të drejtpërdrejtë në përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së jetës së qytetarëve, zunë vetëm 21.5% të totalit të shpenzimeve të pushtetit vendor.
Në vlerë, investimet e pushtetit vendor janë rritur me rreth 3.4 miliardë lekë, ndikuar kryesisht nga Tirana.
Krahasuar me vitin 2024, pesha e “Çështjeve ekonomike” është rritur nga 20% në 23%, duke e kthyer këtë funksion në zërin më të madh të shpenzimeve vendore për vitin 2025. Në terma vjetorë, shpenzimet për këtë funksion janë rritur me 44%, duke shënuar një nga rritjet më të forta ndër funksionet kryesore të pushtetit vendor.
Funksioni i dytë me peshën më të madhe është “Shërbimet e përgjithshme publike”, të cilat zënë rreth 20% të totalit të shpenzimeve vendore në vitin 2025. Një vit më parë, ky funksion zinte 21% të totalit, por pavarësisht uljes së lehtë në peshë, shpenzimet në vlerë janë rritur me 18% krahasuar me vitin 2024.
Arsimi mbetet një nga tre zërat kryesorë të buxhetit vendor. Në vitin 2025, ky funksion zuri 19% të totalit të shpenzimeve, të njëjtën peshë si në vitin 2024. Në terma vjetorë, shpenzimet për arsimin janë rritur me 22%, duke reflektuar mbështetje më të lartë për një nga funksionet më të rëndësishme të pushtetit vendor.
Një pjesë e rëndësishme e shpenzimeve ka shkuar edhe për strehimin dhe komoditetet e komunitetit. Ky funksion zuri 15% të totalit të shpenzimeve vendore në vitin 2025, të njëjtën peshë me një vit më parë. Krahasuar me vitin 2024, shpenzimet për këtë zë janë rritur me 21%.
Mbrojtja e mjedisit zuri 9% të shpenzimeve vendore në vitin 2025, nga 10% që ishte një vit më parë. Megjithatë, në vlerë, shpenzimet për këtë funksion janë rritur me 8%, duke treguar se rënia e peshës lidhet më shumë me rritjen më të shpejtë të zërave të tjerë të buxhetit vendor.
Në aspektin e burimeve të financimit, shpenzimet e pushtetit vendor në vitin 2025 janë mbuluar kryesisht nga të ardhurat e veta dhe transfertat nga buxheti qendror. Të ardhurat e veta kanë financuar 52% të shpenzimeve vendore, ndërsa transfertat nga buxheti qendror kanë mbuluar 47%.
Për herë të parë, në strukturën e financimit evidentohen edhe të ardhurat e paplanifikuara, ose të ardhurat jashtë limitit, të cilat kanë mbuluar rreth 1% të shpenzimeve vendore. Ky tregues tregon një ndryshim të lehtë në strukturën e financimit, por njëkohësisht konfirmon se buxhetet vendore mbeten ende të lidhura ngushtë me transfertat qendrore. /ekofin.al

Artikull i Ekofin.al
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke
cituar “Ekofin.al”, shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

