Visa dhe Mastercard kanë njoftuar një marrëveshje të rishikuar prej 38 miliardë dollarësh me tregtarët që i akuzuan për tarifat e larta që u ngarkojnë bizneseve për pranimin e kartave të tyre të kreditit, në përpjekje për të bindur një gjykatëse amerikane që më parë kishte refuzuar një marrëveshje më të vogël prej 30 miliardë dollarësh si të pamjaftueshme.
Marrëveshja e re do të mbyllte një betejë gjyqësore 20-vjeçare, ku bizneset akuzuan Visa, Mastercard dhe bankat për shkelje të ligjeve amerikane të konkurrencës përmes tarifave të njohura si “swipe fees” – pagesat që tregtarët u bëjnë rrjeteve të kartave për çdo transaksion.
Megjithatë, marrëveshja ka hasur në kundërshtimin e grupeve të tregtarëve, të cilët thonë se ajo nuk adreson shqetësimet që gjykatësja federale Margo Brodie ngriti kur refuzoi versionin e mëparshëm të marrëveshjes në qershor 2024.
Këto grupe, përfshirë National Retail Federation (federata më e madhe tregtare në SHBA) dhe Merchants Payments Coalition, argumentojnë se bizneset do të vazhdojnë të paguajnë tarifa tepër të larta, veçanërisht për kartat e shpërblimeve që dominojnë tregun.
“Nuk mund t’u thuash papritur më shumë se 80% të klientëve të tu që nuk do t’u pranosh kartat,” tha Stephanie Martz, këshilltare e përgjithshme e NRF. “Do të humbje shumë klientë.”
Çfarë parashikon marrëveshja
Visa dhe Mastercard do të ulin tarifat e “swipe fees” – të cilat mesatarisht ishin 2.35% në 2024 dhe zakonisht variojnë nga 2% në 2.5% – me 0.1 pikë përqindjeje për pesë vjet.
Tregtarët do të mund të zgjedhin cilat kategori kartash amerikane të pranojnë (p.sh. karta komerciale, karta “premium” me shpërblime, apo karta standarde).
Tarifat për kartat standarde do të caktohen në tavan 1.25% për 8 vjet, që përfaqëson ulje mbi 25%.
Tregtarët gjithashtu do të kenë më shumë hapësirë për të vendosur tarifa shtesë (“surcharges”) për pagesat me kartë – deri në 3% sipas dokumenteve të gjykatës.
Visa (me qendër në San Francisko) tha se marrëveshja u ofron tregtarëve të çdo madhësie “lehtësim të prekshëm”, ndërsa Mastercard (me qendër në New York) theksoi se tregtarët e vegjël do të përfitojnë veçanërisht.
Sipas dy ekonomistëve që mbështetën paditësit – Joseph Stiglitz (fitues i Çmimit Nobel) dhe Keith Leffler nga Universiteti i Washingtonit – ndalimi i “rritjes spirale” të tarifave mund t’u kursejë tregtarëve 38 miliardë dollarë deri në vitin 2031.
Në një tjetër analizë, ata llogaritën se reformat e plota mund të kursejnë deri në 224 miliardë dollarë, duke rritur konkurrencën dhe ulur koston për konsumatorët që përballen me një sistem “joefikas dhe jo konkurrues” të pagesave.
Visa dhe Mastercard nuk pranuan asnjë shkelje ligjore me këtë marrëveshje. Aksionet e tyre mbetën pothuajse të pandryshuara në treg.
Marrëveshja e mëparshme prej 30 miliardë dollarësh u quajt “e zbehtë” nga gjykatësja
Ajo marrëveshje parashikonte një ulje prej vetëm 0.07 pikësh përqindjeje për pesë vjet dhe lejimin e më shumë tarifave shtesë nga tregtarët, por gjykatësja Brodie e rrëzoi atë duke theksuar se tarifat do të mbeteshin ende më të larta se ç’do të ishin në mungesë të shkeljeve antitrust.
Ajo e cilësoi kursimin vjetor prej 6 miliardë dollarësh “të papërfillshëm” krahasuar me fitimet e vazhdueshme të Visa dhe Mastercard.
Gjykatësja kritikoi gjithashtu rregullin “Honor All Cards”, që detyron tregtarët të pranojnë të gjitha kartat Visa dhe Mastercard ose asnjërën.
Paditësit besojnë se marrëveshja e re e adreson këtë problem. Ata kanë akuzuar gjithashtu rrjetet e kartave për rregulla “anti-steering”, që pengojnë tregtarët t’i drejtojnë klientët drejt mënyrave më të lira të pagesës.
Bankat e mëdha e mbështesin marrëveshjen
Marrëveshja gëzon mbështetjen e Electronic Payments Coalition, një grup që përfshin rrjetet e kartave dhe bankat e mëdha si Bank of America, Capital One, Chase dhe Citibank.
Kryetari ekzekutiv Richard Hunt tha se marrëveshja do të ulë tarifat më shumë sesa një projektligj i Senatit që propozon ulje të ngjashme dhe që kundërshtohet nga industria bankare.
“Më thuaj kur herën e fundit Walmart uli çmimet e tij me më shumë se 25% dhe i mbajti për tetë vjet,” tha ai me ironi.
Por Doug Kantor, nga National Association of Convenience Stores, tha se marrëveshja nuk i jep bankave asnjë arsye të ulin tarifat, përkundrazi lejon Visa dhe Mastercard të “ngrisin tarifat e tyre pa kufi”.
“Tregtarët duhet të kenë mundësinë të negociojnë me banka të ndryshme për tarifa më të mira, por kjo marrëveshje ua ndalon,” shtoi ai./Përshtati nga Reuters, ekofin.al
