Vila e ish diktatorit Enver Hoxha do të shndërrohet në rezidencë artistësh. Transformimi i kësaj vile, u prezantua sot nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kryeministri Edi Rama dhe presidenti Emmanuel Macron. Ky transformim u mundësua nga fondacioni francez “Art Explora” dhe do të bëjë të mundur kthimin e kësaj vile në një qendër frymëzimi artistik.
Kryeministri Edi Rama u shpreh se transformimi i kësaj ndërtese nuk synon të fshijë të kaluarën.
“Nuk arrinim ta largonim dikur fantazmë në hije. Ishin momente aktivitetesh, fantazma ishte atje dhe mund ta përdorin këtë shtëpi dhe mund të bëjnë të mundur një tip hakmarrjeje. Nuk po fshijmë të kaluarën, po e shndërrojmë në burim energjish për ta nxjerrë më mirë në pah lirinë e shprehjes, për ta konsideruar me më shumë respekt e admirim faktin e të jetuarit në një hapësirë lirie.”- tha Rama.
Ndërsa Ministrja Margariti u shpreh se në vilë nuk janë bërë restaurime të plota pasi ka qenë dilema nëse kjo vilë duhej të ruhej si dëshmi e 50 vjetëve të rrëmbyera nga jetët e gjithë shqiptarëve.
Ajo ka përmendur një numër të madh artistësh të dënuar për shkak të artit dhe shndërrimin e kësaj vile në një rezidencë artistësh nga e gjithë bota, e konsideroi si dënimin më të keq të mundshëm, edhe për në botën e përtejme.
“Ne jemi të gjithë të paduruar ta perjetojmë kohën kur kjo vilë të mos quhet me “vila e Enverit”, por “vila e artit”, për të gjithë ne. Në këtë shtëpi paradoksesh, ne sot i hapim rrugën edukimit të brezit të ri me artin”, u shpreh Margariti.
Siç e theksoi edhe ministrja, godina po i nënshtrohet restaurimit pa i hequr asgjë nga çfarë ka pasur.
Kjo rezidencë po krijohet me një nga ekselencat europiane të artit, “Art Explora”, një fondacion francez arti, tejet prestigjioz, me një rrjet që shtrihet përtej Francës.
Ministrja ka falenderuar partnerët francezë, kryeministrin Rama si dhe Drejtorinë e Shërbimeve Qeveritare për realizimin e këtij projekti ambicioz, që do ta kthejë ndërtesën në një shtëpi të madhe të ambasadorëve të Shqipërisë në botë.
