Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka mbyllur muajin mars 2026 me 817 mijë pasagjerë, duke shënuar një rritje prej 9% krahasuar me marsin e vitit të kaluar. Të dhënat e publikuara nga TIA tregojnë se trafiku ajror vijon të mbetet në nivele të larta edhe jashtë pikut të sezonit turistik, duke konfirmuar zgjerimin e vazhdueshëm të tregut të udhëtimeve ajrore në Shqipëri.
Në totalin e tre muajve të parë të vitit, përmes aeroportit “Nënë Tereza” kanë udhëtuar 2,162,098 pasagjerë, me një rritje të përgjithshme prej 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, raporton ekofin.al. Pjesa më e madhe e trafikut vjen nga fluturimet e rregullta, të cilat në mars arritën në 814,939 pasagjerë, ndërsa charter-at dhe fluturimet ad hoc kishin peshë më të vogël.
Rritja e pasagjerëve është shoqëruar edhe me një volum të lartë lëvizjesh të avionëve. Në mars u regjistruan gjithsej 4,708 lëvizje avionësh, nga të cilat 4,582 ishin fluturime të rregullta. Për tremujorin e parë, numri total i lëvizjeve arriti në 12,676.
Sipas raportit të destinacioneve, Londra mbetet linja me numrin më të lartë të pasagjerëve për muajin mars, me 75,143 udhëtarë, nga 65,137 në mars 2025, ose 15% më shumë. Pas saj renditen Bergamo me 53,817 pasagjerë, Roma me 42,806, Bolonja me 42,268, Pisa me 39,641, Milano me 38,835 dhe Stambolli me 37,717 pasagjerë.
Rritje të forta janë regjistruar në disa destinacione europiane. Torino pothuajse është dyfishuar me 18,759 pasagjerë dhe rritje 99%, Varshava është rritur me 107%, Stokholmi me 63%, Verona me 36%, Berlini me 38%, Brukseli me 30%, ndërsa Stambolli ka shënuar rritje 32%.
Të dhënat tregojnë edhe zgjerimin e hartës së destinacioneve, pasi në mars 2026 figurojnë linja që nuk kishin krahasim me marsin 2025, si Billund, Birmingham, Bratislava, Cologne, Dublin, Gdansk, Heraklion, Malta, Malaga, Oslo, Poznan, Santander dhe Vilnius. Kjo tregon se rritja e trafikut nuk vjen vetëm nga intensifikimi i linjave ekzistuese, por edhe nga shtimi i destinacioneve të reja.
Ecuria e marsit konfirmon se Aeroporti i Tiranës po hyn në sezonin pranveror me ritme të larta trafiku, i mbështetur nga rritja e fluturimeve low-cost, zgjerimi i destinacioneve dhe kërkesa e fortë për udhëtime. Nëse ky trend vijon gjatë muajve të verës, viti 2026 pritet të jetë një tjetër vit rekord për transportin ajror në vend dhe për Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, i cili është shndërruar në vitet e fundit në hub-in kryesor të rajonit. /ekofin.al

