Yieldi mesatar i ponderuar i boneve të thesarit të Qeverisë pësoi rënie të mëtejshme në ankandin e fundit të Bankës së Shqipërisë, zhvilluar ditën e sotme, duke arritur në 2.84%. Kjo është vlera më e ulët që nga korriku i vitit 2022, kur nisi edhe kurba ngritëse e normave të interesit.
Në mënyrë të vazhdueshme, yieldet kanë vijuar trendin rënës gjatë këtij viti dhe tashmë po shoqërojnë edhe ndërhyrjet e bëra nga Banka e Shqipërisë me uljen e normës bazë të interesit. Së fundmi, BSH e zbriti në 2.75% normën dhe me këtë rënie edhe Yieldet i janë afruar edhe normës bazë.
Në ankandin e mëparshëm, atë të fundtetorit, yielde mesatar i ponderuar ishte barazuar me normën bazë në nivelin 3%.
Në ankandin e fundit oferta nga kërkesa nuk ka pasur diferenca të mëdha, por përsëri kjo nuk e ka frenuar rënien e mëtejshme të yieldit. Kështu, nga 7.5 miliardë lekë që ishte kërkesa e shpallur në ankand, oferta ka qënë rreth 9 miliardë lekë. Prorata konkuruese ishte në vlerën 2.92%, që nënkupton se ofertat e pranuara kanë qënë nga shumë investitorë të ndryshëm. Në ankandin e mëparshëm, prorata ishte 84.74%, që nënkupton përqendrimin e ofertës në pak duar investitorësh.
Deri në fund të vitit parashikohet të zhvillohet vetëm një ankand për Bono Thesari me maturim 12-mujor, ai i datës 24 dhjetor 2024, sipas kalendarit të shpallur nga Ministria e Financave.
Bonot 12-mujore janë instrumenti që ndikon direkt edhe në interesat e kredive, sidomos ato hipotekore, ndaj ulja e mëtejshme e yieldit do të reflektohet në rishikim në ulje për interesat e kredive për qytetarët, të cilat këtë vit pritet të jenë deri në të përgjysmuara, krahasuar me një vit më parë. /ekofin.al
