Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) do të licencojë në mbledhjen e fundit për këtë vit “Vienna Life Insurance” – “Vienna Sigurim Jete” për të ushtruar veprimtari sigurimi në klasat e jetës në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Kjo do të jetë shoqëria e pestë që operon në tregun e Jetës, pas hyrjes më të fundit të Albsig Jetë në vitin 2019. Shoqëria kishte marrë miratimin paraprak në muajin korrik të këtij viti.
Në tregun e sigurimeve të Jetës operojnë edhe Insig Jetë, Sicred e SIGAL Life.
“Vienna Life Insurance” – “Vienna Sigurim Jete” është shoqëri e regjistruar në QKB muajin korrik të këtij viti, ku sipas të dhënave të regjistrit të biznesit zotërohet në masën 75% nga grupi austriak Vienna Insurance Group dhe 25% nga shoqëria shqiptare NOA Holding, në pronësi të biznesmenit Gentian Sula.
Tregu i sigurimit të jetës në Shqipëri ka ende përmasa modeste dhe mbështetet kryesisht në sigurimin e jetës së debitorit, një produkt i kërkuar mga bankat.
Për 10-mujorin 2024, referuar shifrave të AMF, primet e shkruara bruto në tregun e sigurimit të jetës arritën në 1.64 miliardë lekëve, në rritje me 8.5% krahasuar me një vit më parë. Primet e sigurimit të jetës përbëjnë rreth 8.1% të volumit të përgjithshëm të tregut të sigurimeve.
