Izolimi social i referohet kontakteve dhe pjesëmarrjes së kufizuar me të tjerët, ndërsa vetmia është një përvojë subjektive e ndjesisë së shkëputjes nga bota përreth. Megjithëse nuk janë e njëjta gjë, një studim i ri i publikuar në revistën Nature Communications ka zbuluar se të dyja lidhen me më pak vite jetë të shëndetshme.
Mesatarisht, vetmia dhe izolimi social u kushtojnë njerëzve rreth gjashtë vite jetë pa sëmundje, duke ndikuar si në shëndetin fizik, ashtu edhe në atë mendor. Studiuesit arritën në këtë përfundim pasi analizuan të dhënat e më shumë se 270 mijë të rriturve të moshës 40 deri në 69 vjeç.
“Në përgjithësi, studimi tregoi se izolimi social dhe vetmia mund të kenë një ndikim të konsiderueshëm në jetëgjatësinë pa sëmundje”, tha autori kryesor Lu Qi, profesor në Universitetin Tulane.
Studimi zbuloi se lidhja ishte më e fortë për humbjen e viteve pa çrregullime mendore, si depresioni dhe ankthi, sesa për vitet pa sëmundje fizike, si diabeti i tipit 2, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet kronike të frymëmarrjes, sëmundjet neurodegjenerative dhe kanceri.
Lajmi pozitiv është se mbajtja e një stili jetese të shëndetshëm mund të zbusë ndikimin negativ të izolimit social. Por, sipas studimit, kjo nuk duket se e kompenson dëmin e lidhur me vetminë.
Në moshën 50 vjeç, personat që përjetonin njëkohësisht vetmi dhe izolim social kishin më pak vite jetë pa sëmundje të mëdha kronike, krahasuar me ata që nuk përjetonin asnjërën prej tyre.
Si preken ndryshe burrat dhe gratë?
Burrat dhe gratë nuk ndikohen në të njëjtën mënyrë nga vetmia dhe izolimi social, dhe kjo reflektohet edhe në efektet mbi shëndetin e tyre. Për shkak se gratë mund t’i japin më shumë rëndësi lidhjes emocionale, vështirësitë e tyre të shëndetit mendor lidhen më fort me vetminë, ndërsa te burrat shëndeti mendor shfaq një lidhje më të fortë me izolimin social.
Te gratë, vetmia dhe izolimi social lidhen me 2.4 vite të kaluara me shëndet fizik më të dobët dhe 3.7 vite me shëndet mendor më të dobët. Te burrat, ato lidhen me humbjen e 1.7 viteve jetë pa sëmundje fizike dhe 5.8 viteve jetë pa çrregullime mendore.
Burrat kishin më shumë gjasa të përjetonin njëkohësisht vetmi dhe izolim social, të kishin më pak burime sociale, materiale dhe ekonomike, si dhe një rezultat më të ulët për stilin e shëndetshëm të jetesës.
Autorët vunë në dukje se ky hendek mes gjinive mund të shpjegohet nga dallimet në mënyrën se si burrat dhe gratë marrin mbështetje dhe arrijnë mirëqenie psikologjike. Burrat priren të mbështeten më shumë te prania fizike dhe ndërveprimet e shpeshta sociale, ndërsa gratë më shumë te mbështetja emocionale./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
