Shqipëria po përballet me një ekspozim gjithnjë e më të lartë ndaj katastrofave natyrore, ndërsa dëmet ekonomike nga tërmetet, përmbytjet dhe fenomenet ekstreme klimatike po konsiderohen një nga kërcënimet më serioze për financat publike dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
Ekspertët e sigurimeve dhe menaxhimit të riskut paralajmërojnë se Shqipëria mbetet një nga vendet më vulnerabël në Europë ndaj fatkeqësive natyrore, ndërsa niveli i mbrojtjes financiare për qytetarët dhe bizneset vijon të jetë i ulët.
Tërmeti i 26 nëntorit 2019 mbetet ngjarja më e rëndë natyrore e dekadave të fundit në vend, duke shkaktuar dëme masive në banesa, biznese dhe infrastrukturë publike. Por tërmetet nuk janë i vetmi problem. Përmbytjet e përsëritura, rrëshqitjet e tokës, zjarret dhe fenomenet ekstreme të lidhura me ndryshimet klimatike po shtojnë çdo vit presionin mbi ekonominë dhe buxhetin e shtetit.
Sipas të dhënave të prezantuara në konferencën ndërkombëtare mbi rrezikun nga fatkeqësitë natyrore në Shqipëri, sigurimi ndaj zjarreve, përmbytjeve dhe tërmeteve mbetet ende shumë i kufizuar, sidomos jashtë zonës Tiranë-Durrës.
Ekspertët paralajmërojnë se ekziston një hendek i madh mes dëmeve reale që shkaktojnë katastrofat natyrore dhe nivelit të mbulimit financiar për qytetarët dhe bizneset, duke bërë që një pjesë e madhe e kostove të përballohet drejtpërdrejt nga familjet ose nga financat publike.
Tregu i sigurimeve ende i kufizuar
Të dhënat tregojnë se tregu shqiptar i sigurimeve mbetet i dominuar nga sigurimet motorike, ndërsa sigurimet për pronën dhe mbrojtjen nga katastrofat natyrore zënë ende një peshë të vogël.
Sipas prezantimit të bërë nga Dr. Aranit Muja, drejtor i administrimit të riskut në Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, tregu total i sigurimeve në Shqipëri arrin në rreth 276.9 milionë euro, ku mbi 91% i përket sigurimeve jo-jetë.
Nga kjo shumë, 172.7 milionë euro lidhen me sigurimin motorik dhe vetëm 28.8 milionë euro i përkasin sigurimeve të pronës dhe zjarrit.
Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e banesave dhe bizneseve në Shqipëri mbeten të pambrojtura financiarisht përballë katastrofave natyrore.
Një tjetër element që evidenton riskun e lartë të tregut shqiptar është varësia e kompanive të sigurimeve nga risiguruesit ndërkombëtarë.
Raporti i primeve të ceduar në sigurimet jo-jetë arrin në 15.7%, ndërsa për sigurimet e pronës dhe zjarrit shkon në 41.6%, çka tregon se një pjesë e konsiderueshme e riskut transferohet te kompanitë ndërkombëtare të risigurimit.
Sigurimet mbeten në nivele të ulëta
Penetrimi i sigurimeve në Shqipëri vijon të jetë ndër më të ulëtit në Europë, me vetëm 1.03% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Megjithatë, sektori ka shënuar rritje me 10.6% gjatë vitit 2025 krahasuar me vitin paraardhës.
Në vend operojnë 13 kompani sigurimesh, nga të cilat 8 janë të fokusuara në sigurimet jo-jetë.
Ekspertët theksojnë se përballja me katastrofat natyrore kërkon rritje të ndërgjegjësimit për sigurimet, zgjerim të mbulimit të pronave, forcim të kuadrit ligjor dhe bashkëpunim më të madh mes shtetit, kompanive të sigurimeve dhe institucioneve financiare.
Në kushtet kur ndryshimet klimatike dhe rreziku sizmik po rrisin frekuencën e katastrofave natyrore, specialistët paralajmërojnë se Shqipëria duhet të ndërtojë një sistem më të fortë mbrojtjeje financiare për të shmangur goditje të mëdha ekonomike në të ardhmen. /ekofin.al
