Avokati i Popullit ka ngritur shqetësimin se zvarritja e proceseve gjyqësore, mungesa e gjyqtarëve dhe vonesat në administrimin e çështjeve po cenojnë të drejtën e qytetarëve për një proces të rregullt ligjor. Në raportin për vitin 2025, Avokati thekson se sistemi gjyqësor vijon të përballet me mbingarkesë të lartë, mungesë transparence dhe probleme infrastrukturore, ndërsa qytetarët presin për vite të tëra shqyrtimin e çështjeve të tyre.
Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë regjistruar dhe trajtuar 143 ankesa, kërkesa dhe raste të nisura me iniciativë nga vetë institucioni, që lidhen me pretendime për cenim të së drejtës për një proces të rregullt ligjor. Në 82 raste, Avokati i Popullit konstatoi problematika ose mangësi që justifikonin ndërhyrje dhe rekomandime ndaj institucioneve përgjegjëse.
Problematikat më të shpeshta lidhen me zvarritjen e proceseve gjyqësore dhe afatet tepër të gjata për shqyrtimin e çështjeve, sidomos në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjykatën Administrative të Apelit dhe Gjykatën e Lartë. Raporti evidenton gjithashtu mosnjoftimin e palëve brenda afateve ligjore, mosmarrjen në shqyrtim të çështjeve të reja për disa muaj, mosrespektimin e plotë të të drejtave procedurale gjatë gjykimit dhe problematikat me masat e sigurimit personal, veçanërisht mungesën e rishikimit periodik të masës “arrest me burg”.
Po kështu, për Avokatin e Popullit shqetësim mbeten kushtet infrastrukturore dhe logjistike të gjykatave. Sipas raportit, mungojnë ambientet funksionale për pritjen e qytetarëve, zhvillimin e seancave dhe arkivimin e dosjeve, ndërsa vështirësitë në njoftimin e palëve lidhen edhe me informalitetin në adresarin e banimit të qytetarëve.
Avokati i Popullit thekson se këto probleme lidhen drejtpërdrejt me gjendjen strukturore të sistemit gjyqësor. Nga 408 gjyqtarë që duhet të ketë sistemi sipas organikës, aktualisht janë në detyrë vetëm 272, ose rreth 66% e kapacitetit të plotë. Sipas raportit, vakancat e shumta, dosjet e mbartura ndër vite, përqendrimi i gjykimeve në pak trupa gjyqësore dhe efektet e hartës së re gjyqësore kanë krijuar mbingarkesë të vazhdueshme.
Në disa gjykata të apelit vijojnë të shqyrtohen çështje të regjistruara prej disa vitesh, ndërsa në gjykatat e shkallës së parë evidentohen shtyrje të proceseve për shkak të mungesave në organikë dhe vështirësive administrative.
Raporti evidenton gjithashtu vonesa në arsyetimin dhe publikimin e vendimeve gjyqësore, çka pengon qytetarët të ushtrojnë në kohë të drejtën e ankimit ose të kërkojnë ekzekutimin e vendimeve. Janë konstatuar edhe raste të moslëshimit në kohë të urdhrave të ekzekutimit për vendimet penale, problematikë që sipas Avokatit të Popullit ka sjellë pasoja konkrete pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 33/2024 “Për Amnistinë”. Sipas raportit, shumë persona që përfitonin nga amnistia nuk kanë mundur ta ushtrojnë këtë të drejtë për shkak të vonesave në zbardhjen dhe komunikimin e vendimeve.
Institucioni ka evidentuar gjithashtu probleme në aksesin në ndihmën juridike dytësore dhe pengesa në aksesin në drejtësi pas zbatimit të hartës së re gjyqësore.
Një rast i veçantë i trajtuar në raport lidhet me mungesën e përkthyesve gjyqësorë. Sipas Avokatit të Popullit, një e paraburgosur me shtetësi rumune pati nëntë seanca gjyqësore të shtyra për shkak të mungesës së përkthyesit të gjuhës rumune. Institucioni vlerëson se mungesa e përkthimit efektiv cenon një garanci thelbësore të procesit të drejtë, sidomos për personat e privuar nga liria.
Raporti sjell edhe raste konkrete të qytetarëve që kanë pritur për vite shqyrtimin e çështjeve të tyre. Dy ankues pranë Gjykatës Administrative të Apelit kishin pritur respektivisht 5 dhe 4 vite për shqyrtimin e çështjeve që lidheshin me pensionin e minatorit dhe pensionin suplementar ushtarak. Pas ndërhyrjes së Avokatit të Popullit, çështjet u planifikuan për gjykim dhe proceset përfunduan.
Në një tjetër rast, një çështje civile e regjistruar që prej vitit 2021 në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër kishte pësuar shtyrje të njëpasnjëshme për shkak të faktorëve administrativë dhe ngarkesës së lartë. Pas rekomandimit të Avokatit të Popullit, organet kompetente ndërmorën masa për rinisjen e procesit.
Ndërkohë, në rastin e një shtetasi që kërkonte përshpejtimin e shqyrtimit të çështjes penale në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, rekomandimi i Avokatit të Popullit mbeti i pazbatuar. Sipas institucionit, kjo tregon se në disa segmente të sistemit gjyqësor mungon ende reagimi efektiv ndaj rasteve që kërkojnë trajtim urgjent.
Gjatë vitit 2025, Avokati i Popullit adresoi 8 rekomandime për sistemin e gjykatave, të fokusuara në përshpejtimin e shqyrtimit të çështjeve, respektimin e garancive procedurale dhe eliminimin e pengesave administrative që ndikojnë në funksionimin e gjykatave, përfundon raporti. /ekofin.al
