Punonjësit e administratës shtetërore tashmë përfitojnë 22 ditë leje pune leje të paguar në vend të 4 javëve kalendarike që ishte më pare dhe mund ta kryejnë pushimin e paguar edhe në periudha të ndryshme të ndara, në ndryshim nga vendimi i mëparshëm që sanksiononte se pushimet nuk mund të ishin më pak se 1 javë kalendarike pa ndërprerje.
Qeveria ka miratuar sot ndryshimet ligjore në vendimin nr. 568, datë 6.10.2021 që rregullon kohëzgjatjen e punës dhe pushimit për punonjësit shtetërore dhe atyre në institucionet e pavaruara. Vendimi do të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.568, DATË 6.10.2021, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLAVE PËR KOHËZGJATJEN E PUNËS DHE TË PUSHIMIT, ORËT SHTESË DHE KOMPENSIMIN E TYRE NË INSTITUCIONET E ADMINISTRATËS SHTETËRORE, INSTITUCIONET E PAVARURA DHE NJËSITË E VETËQEVERISJES VENDORE”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 40, të ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, të ndryshuar, të neneve 76, 78, 79, 83, 85, 86, 87 e 94, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 5, të nenit 7, të ligjit nr.15/2016, “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Adminstratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në kreun III, të vendimit nr.568, datë 6.10.2021, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e rregullave për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit, orët shtesë dhe kompensimin e tyre në institucionet e administratës shtetërore, institucionet e pavarura dhe njësitë e vetëqeverisjes vendore”, të ndryshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
- Në pikën 2, togfjalëshi “… 4 (katër) javë kalendarike …” zëvendësohet me “… 22 (njëzet e dy) ditë pune …”.
- Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:
“3. I punësuari ka të drejtë të kërkojë kryerjen e pushimit vjetor të paguar edhe në periudha të ndryshme e të ndara”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
