Sot ishte paralajmëruar se do të hynin në fuqi tarifat e reja të energjisë në Kosovë, me një shtrenjtim me 15% të çmimit, mirëpo Zyra e Rregullatorit të Energjisë, ka deklaruar se vendimi përfundimtar pritet të merret më 11 prill. Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu ka mohuar se është marrë vendim lidhur me tarifat e energjisë elektrike, duke thënë se në fuqi mbesin tarifat ekzistuese.
“Vendimi pritet të merret më 11 prill. Varësisht se si vendos bordi, ato mund të hyjnë në fuqi retroaktivisht nga 1 prilli ose nga 1 maji, kur është edhe periudha e faturimit, pasi që s’ka kuptim që kjo të bëhet në gjysmë të muajit”, tha Fejzullahu për mediat në Kosovë, duke shtuar se aktualisht janë duke shqyrtuar komentet e dërguara nga institucionet dhe të tjerët. “Kemi deklaruar se shqyrtimi do të zgjas deri në dy javë, por mund të zgjas edhe më shumë”, deklaroi ai.
Rritja e çmimit të energjisë, ka ngjallur reagime të mëdha dhe pakënaqësi te qytetarët dhe bizneset dhe presidenca, por deri tani Qeveria e Kosovës nuk ka komentuar dhe as reaguar lidhur për rritjen e paralajmëruar. Për shkak të pakënaqësive, më 5 prill është paralajmëruar edhe një protestë në Prishtinë. Sipas paralajmërimeve të ekspertëve të ekonomisë, rritja e çmimit të energjisë pritet të ëndojë dyfish qytetarët, pasi do të shoqërohet edhe me rritje të çmimeve të produkteve ushqimore dhe shërbimeve të tjera.
