Hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare vendimi i ri “Për përcaktimin e kushteve dhe të mënyrës për mbrojtjen e veçantë të punonjësit të policisë, të cilit i kërcënohet jeta, familja dhe prona për shkak të detyrës”.
Sipas vendimit, punonjësit të Policisë së Shtetit, i cili, për shkak të detyrës, gjendet i rrezikuar, i sigurohet mbrojtje e veçantë, që kupton masat me karakter organizativ e profesional për sigurimin e ruajtjen e veçantë të jetës, familjes dhe të pronës së punonjësit të kërcënuar të policisë, si dhe çdo masë tjetër, që lidhet me këtë mbrojtje.
Kushtet, që punonjësi i kërcënuar i policisë të përfitojë mbrojtje të veçantë, janë prania e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen ose pronën e punonjësit të policisë; gjendja e punonjësit të policisë në një situatë që kërkon kryerjen e veprimeve apo marrjen e masave të menjëhershme për ta zgjidhur atë, si dhe për të shmangur çdo lloj dëmtimi të mundshëm; prania e lidhjes shkakësore ndërmjet rrethanave serioze dhe rrezikut të dëmtimit me ushtrimin e ligjshëm të detyrës.
Mënyrat e mbrojtjes së veçantë konsistojnë nga ruajtja apo shoqërimi fizik të punonjësit të policisë të rrezikuar; te ruajtja apo shoqërimi fizik i familjarëve të rrezikuar të punonjësit të policisë; si dhe ruajtjen e pronës së tij.
Mbrojtja e veçantë bëhet me vendim të Komisionit për Vlerësimin e Mbrojtjes së Veçantë (KVMV), i cili ngrihet dhe funksionon pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Kërkesa, me shkrim, për mbrojtje të veçantë i paraqitet Komisionit për Vlerësimin e Mbrojtjes së Veçantë nga: punonjësi i policisë, që i kërcënohet jeta, familja dhe prona; strukturat policore, që marrin dijeni për praninë e rrethanave serioze, të cilat i rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të policisë; si çdo organ tjetër publik, që, për shkak të funksionit, merr dijeni për praninë e rrethanave serioze që rrezikojnë jetën, familjen dhe pronën e punonjësit të policisë.
Komisioni i Vlerësimit të Mbrojtjes së Veçantë, brenda 10 (dhjetë) ditëve nga paraqitja e kërkesës për mbrojtje të veçantë, vendos: pranimin e kërkesës, duke përcaktuar edhe masat konkrete të mbrojtjes; ose mospranimin e saj.
Vendimi saktëson se krahas marrjes së masave mbrojtëse, Policia e Shtetit bashkëpunon me institucionet e tjera për marrjen në vazhdimësi të informacioneve, në funksion të parandalimit të ngjarjeve të mundshme kriminale, në drejtim të punonjësit të policisë të marrë në mbrojtje, familjes dhe pronës së tij. Gjithashtu, në rastet kur punonjësi i kërcënuar i policisë ushtron detyrën larg vendbanimit dhe familjes së tij, masat urgjente mbrojtëse merren sipas nevojës për të dhe për familjen, në funksion të mbrojtjes e në varësi të intensitetit që ka kërcënimi.
Ndërsa, në rastin e një rreziku serioz dhe të çastit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit urdhëron strukturat përkatëse në Policinë e Shtetit të marrin masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë e jetës, familjes dhe pronës së punonjësit të kërcënuar të policisë. KVMV-ja, brenda 10 (dhjetë) ditëve, vlerëson masat e marra nga strukturat e Policisë së Shtetit dhe vendos për vazhdimin ose jo të tyre. /ekofin.al
