Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të rëndësishëm për riorganizimin e institucioneve që ushtrojnë funksione inspektimi, në zbatim të ligjit të ri nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Vendimi parashikon që 14 institucione, përfshirë Agjencinë Kombëtare të Barnave, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor dhe Inspektoratin e Punës, t’i nënshtrohen një procesi riorganizimi. Gjithashtu, funksionet inspektuese të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe të Agjencisë së Bregdetit do të transferohen në inspektorate të reja qendrore, të krijuara sipas fushave përkatëse.
Pas miratimit të ligjit, “Për inspektimet në Republikën e Shqipërisë”, i cili ka hyrë në fuqi në maj të 2025, u paralajmërua se një sërë inspektoratesh, përfshirë AKU do të shkriheshin dhe riorganizoheshin në një sërë organesh inspektuese si në fushën e bujqësisë, mbikëqyrjes së arkivave; sigurisë dhe shëndetit në punë; në fushën e shëndetësisë, arsimit parauniversitar; turizmit; mbikëqyrjes së tregut; mbikëqyrjes së trashëgimisë kulturore; tokës, mbikëqyrjes së mjedisit dhe territorit. Në total në këtë ligj përfshihen ndryshime për 68 ligje të tjera specifike në të cilat parashikohen funksione inspektimi.
Vendimi i plotë:
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E INSTITUCIONEVE QË RIORGANIZOHEN SIPAS LIGJIT PËR INSPEKTIMIN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 3, të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Institucionet me funksione inspektimi në juridiksionin e pushtetit ekzekutiv të qeverisjes qendrore, në fushën e zbatimit të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të cilat i nënshtrohen procesit të riorganizimit, janë, si më poshtë vijon:
a) Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore;
b) Agjencia Kombëtare e Mjedisit;
c) Agjencia Kombëtare e Pyjeve;
ç) Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura;
d) Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve;
dh) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
e) Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave;
ë) Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës;
f) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit;
g) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore;
gj) Inspektorati Shtetëror Shëndetësor;
h) Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore;
i) Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut;
j) Instituti i Shëndetit Publik.
2. Funksionet inspektuese të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit transferohen në inspektoratet e reja qendrore, që do të krijohen sipas fushave të inspektimit, që mbulojnë ministritë përgjegjëse dhe sipas parimeve të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Brendshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe institucionet e përcaktuara në pikat 1 dhe 2 për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.