Hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare, vendimi i Këshillit i Ministrave me ndryshimet “Për përcaktimin e dokumentacionit dhe rregullave të hollësishme të evidentimit të ndërtimeve pa leje”, duke i dhënë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) një rol shumë më aktiv dhe proaktiv në identifikimin, verifikimin dhe trajtimin e ndërtimeve pa leje në të gjithë territorin e vendit, në zbatim të ligjit nr. 20/2020 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
Me ndryshimet e reja, theksi zhvendoset nga aplikimi individual nga qytetari drejt përfshirjes institucionale të drejtpërdrejtë të ASHK-së në proces, duke e kthyer institucionin nga një strukturë pritëse e aplikimeve në aktorin kryesor që evidenton dhe nis procedurat për legalizim.
Ndryshimi më i rëndësishëm prek nenin 12 të vendimit, i cili më parë parashikonte që për ndërtesat pa leje që nuk kishin aplikuar më herët për legalizim, subjektet të kryenin vetë aplikimin përmes platformës e-Albania kundrejt një tarife prej 3 000 lekësh, duke plotësuar formularin e kërkesës për legalizim sipas aneksit 2 të vendimit.
Tashmë kjo logjikë përmbyset. Dispozita e re përcakton se Agjencia Shtetërore e Kadastrës i trajton kryesisht ndërtimet pa leje të evidentuara nga vetë institucioni, qoftë gjatë proceseve të regjistrimit fillestar, gjatë përmirësimit të zonës kadastrale, apo gjatë evidentimit në terren të ndërtimeve pa leje. Në momentin e konstaktimit në terren, subjekti nuk aplikon më në mënyrë të pavarur, por plotëson formularin e deklarimit të të dhënave të ndërtimit pa leje, të vënë në dispozicion nga ASHK gjatë procesit të kontrollit, duke e zhvendosur përgjegjësinë kryesore te institucioni dhe jo te qytetari.
Ndryshim pëson edhe neni 13, i cili qartëson rolin procedural të drejtorive vendore të ASHK-së. Në formulimin e ri, drejtoria vendore ka detyrimin që gjatë evidentimit në terren të bllokut kadastral apo të vetë ndërtimit, të vlerësojë nëse objekti përfshihet ose jo në fushën e zbatimit të ligjit nr. 20/2020, konkretisht sipas neneve 17, pika 1 dhe 69, pika 9.
Në rastet kur konstatohet se ndërtimi është brenda fushëveprimit të ligjit, drejtoria vendore njofton zyrtarisht subjektin dhe i dërgon faturën për arkëtimin e tarifës së shërbimit në vlerën 3 000 lekë, e cila duhet të shlyhet brenda afatit 30-ditor nga momenti i marrjes dijeni. Pas kryerjes së pagesës, ASHK vijon automatikisht procedurat administrative për verifikimin e dokumentacionit dhe plotësimin e kritereve ligjore të legalizimit, sipas vendimit nr. 1040, datë 24.12.2020 të Këshillit të Ministrave, për modelin e aktit të legalizimit të ndërtimeve pa leje.
Në rastet kur drejtoria vendore evidenton se objekti nuk përfshihet në fushën e zbatimit të ligjit, procedura është po aq e formalizuar. ASHK nxjerr një akt administrativ të titulluar “Urdhër për evidentimin e mospërfshirjes”, brenda 30 ditëve nga momenti i verifikimit në terren, dhe njofton subjektin për mospërfshirjen.
Kriteret për këtë klasifikim mbështeten në nenin 17 të ligjit, që lidh trajtimin e ndërtimeve pa leje me rezultatin e ortofotos zyrtare të realizuar nga autoriteti shtetëror përgjegjës për informacionin gjeohapësinor, përpara hyrjes në fuqi të ligjit, si edhe në nenin 69, pika 9, që përfshin raste të veçanta si objekte me funksion banimi apo bujqësor në fshat, shtesa pa leje në ndërtime të regjistruara dhe objekte për të cilat nuk është vendosur më parë prishje apo konfiskim sipas ligjit “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” ose kur këto masa janë parashkruar sipas ligjit për kundërvajtjet administrative.
Po kështu, anekset e mëparshme që parashikonin “Kërkesë për legalizim të ndërtimit pa leje” zëvendësohen me një dokument të ri: “Formular i deklarimit të të dhënave të ndërtimit pa leje”, që forcon karakterin deklarativ dhe institucional të procesit, duke reflektuar rolin qendror të ASHK në grumbullimin dhe administrimin e informacionit mbi ndërtimet informale.
Me këto ndryshime, procesi i legalizimit kalon nga një model i iniciuar nga qytetari drejt një mekanizmi të udhëhequr nga shteti, ku ASHK jo vetëm evidenton në mënyrë aktive ndërtimet pa leje, por edhe klasifikon, njofton, faturon dhe ndjek procedurat administrative deri në përfundimin e procesit./ekofin.al

