Qeveria zgjeron fushën e prokurimeve të Operatorit të Blerjeve të Përqendruara për të gjitha ministritë dhe institucionet në varësi të Kryministrisë, përfshirë edhe këtë të fundit.
Vendimi i Këshillit të Ministrave i publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare, i ngarkon Operatorit procedurat nga blerja e të gjitha automjeteve, mjete bujqësore dhe makinerive të rënda dhe mjeteve teknologjike deri te ndërtimi dhe supervizimi i atyre punimeve që u përkasin procedurave të prokurimit të OBP-së.
Në këtë kategori përfshihen të gjitha punimet e ndërtimeve civile në objekte ku zhvillohen aktivitete njerëzore të drejtpërdrejta ose jo, kompletimi me strukturat e nevojshme dhe finitura të llojeve të ndryshme që lidhen me objektin, punime plotësuese dhe pajisje. Përfshin në mënyrë të thjeshtuar godina banimi, shkolla, zyra, kazerma ushtrie, teatro, stadiume, godina industriale, godina për parkim, burgje etj.
Operatori gjithashtu zhvillon procedurat për përzgjedhjen e subjekteve private me eksperiencë ndërkombëtare si ofrues shërbimi në fushën e prokurimeve, sipas parashikimeve të ligjit nr. 162/2020, “Për prokurimin publik”;
Në këtë rast, OBP vihet në lëvizje me një kërkesë nga autoriteti apo enti kontraktor, për përzgjedhjen e subjekteve që mund të realizojnë procedura prokurimi, të cilat nuk kryhen nga OBP-ja.
Përjashtimisht OBP nuk do të zhvillojë procedura për institucionet që realizojnë vetë procedurat e prokurimit publik, sipas legjislacionit në fuqi, si shtypshkronjat e letrave me vlerë dhe Shërbimi Informativ i Shtetit.
Një risi është që OBP sh.a. do të zhvillojë gjithashtu, procedura prokurimi për punë/mallra/shërbime për llogari të autoritetit/entit kontraktor, i cili në strukturën e tij organizative ka më pak se 15 punonjës dhe nuk ka një organ epror.
Po kështu, institucionet që kërkojnë të prokurojnë shërbime/mallra/punë, të cilat përfshihen në objektet e prokurimit me vlerë mbi 1 milionë lekë pa TVSH, do të dërgojnë kërkesat për prokurim pranë Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, pavarësisht numrit të punonjësve që ka institucioni.
Ndërkohë Operatori do të standardizojë të gjitha specifikimet teknike dhe çmimet për mallrat dhe shërbimet që prokurohen në mënyrë të përqendruar dhe do të hartojë katalogët e standardeve. Këta të fundit do të jenë orientues dhe rekomandues për autoritetet apo entet kontraktore dhe do të publikohen në faqen zyrtare të OBP-së dhe Agjencisë së Prokurimit Publik./ekofin.al
