Çmimi i ujit do të rritet, duke nisur nga viti i ardhshëm edhe për qytetarët e 12 njësive administrative apo bashkive në vend. Pas rritjeve të realizuara më herët në shumicën e bashkive të mëdha, Enti Rregullator i Ujit ka miratuar tarifat e reja që do të nisin zbatimin nga 1 janari 2025.
Janë dy shoqëri ujësjellës kanalizimesh që kishin aplikuar për rritje tarifash dhe që ERRU ka akomoduar pjesërisht kërkesat e tyre. Në fakt, shoqëritë kishin kërkuar një rritje më të madhe të çmimit dhe kjo sidomos për abonentët familjarë, por Enti ka miratuar një rritje të pjesshme.
Shoqëria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër sh.a, e cila ka në mbulim Shkodrën, Vaun e Dejës, Pukën, Fushë Arrzin dhe Malësinë e Madhe, kishte kërkuar që çmimi i ujit për familjarët të rritej në masë të konsiderueshme, në disa raste edhe me mbi 50%.
Por bazuar në vendimin e ERRU, familjet në Shkodër nga 40 lekë për m3 do të paguajnë 55 lekë, nga 70 që kishte kërkuar ujësjellësi. Rritje të konsiderueshme do të ketë edhe në Fushë-Arrëz, nga 20 lekë m3 në 40 lekë, pra dyfishim të tarifës për abonentët familjarë.
Rritje do të ketë edhe për Vaun e Dejës, Pukën dhe Malësinë e Madhe, ku çmimet për familjarët lëvizin nga 35-50 në 40-55 lekë m3.
Rritje do të ketë gjithashtu edhe për bashkitë që janë pjesë e ndërmarrjes rajonale të Gjirokastrës. Edhe këtu, çmimet e rritura do të prekin më së shumti qytetarët, pasi entet publike dhe bizneset nuk pritet të kenë shumë diferenca.
Kështu, nga 1 janari 2025, gjirokastritët do ta paguajnë ujin me 50 lekë m3, nga 46 që e kishin deri sot. Të njëjtin çmim do të paguajnë edhe qytetarët e Përmetit, Tepelenës, Memaliajt e Këlcyrës. Gjithashtu, rritje çmimi do të ketë edhe në Dropull dhe Libohovë, si edhe njësitë administrative (zonat e fshatrave) të Gjirokastrës dhe Përmetit.
Sipas vendimit, tarifat e reja janë për periudhën 2025-2027, por shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve mund të kërkojnë çdo vit rishikim të tyre. /ekofin.al



